Nga Ilir Paja

13 nëntor 2015 – Një anije, çisternë, cilido mjet detar, ditë më parë derdhi diku nga thellësia e gjirit të Durrësit një sasi me mbetje karburanti. Nuk kaluan disa orë dhe bregu i plazhit “publik” u njollos nga pellgje nafte, duke prekur dhe bregun. Një ndotje mjedisore. Një veprim i qëllimshëm. I ndëshkueshëm, jo vetëm brenda një ndëshkimi si gjobvënia. Duke shmangur nostalgjinë, më mirë se kushdo e dimë ne qytetarët e këtij plazhi. Ku jo vetëm u rritëm, rinuam moshën, por tani të burrëruar ndjehemi se përveç një shëtitjeje, këtij plazhi dikur mit për pritjen që niste nga masa e madhe kryeqytetase, e vetë pushuesve nga i gjithi vendi, e cila e mbushte këtë vijë bregdetare jo me pushime. Ai ishte mbi të gjitha oazi ku gjithkush kuptonte se të gjithë bashkë gjallonim jetën e munguar urbane…

Gjithsesi, tani ndotja e tij nuk erdhi nga një akt kaq inkriminues ndaj mjedisit. Dhe pse e cilësuan të gjithë krim mjedisor, pothuaj po këta të gjithë, sa herë mbërrin sezoni plazhit, jo vetëm e harrojnë. Tani i privatizuar deri në dallgët e para në breg, atë mund ta quajmë gjithçka. Vetëm si dikur vend pushimi, plazh, etj, e kemi vështirë ta pranojmë. Mjafton heqja e së drejtës “plazh publik” nga fjalori që e zotëron rërën e tij, gjithkush, kjo falë dhe ndryshimeve dhe kërkesave në rritje të pushuesve, të bën të ndjesh krimin e parë mjedisor. Ai i një gjiri i gjithi pronë parcelash private. Ku e drejta për pushim tashmë mund të cilësohet e vdekur… Kishin kaluar muaj nga zgjedhjet lokale. Mbaroi dhe sezoni.

Në porto kanë nisur hetimet. Dyshohet, hetohet deri dhe me pjesëmarrjen e SHISH që ngjarja të zbardhet. Pas të gjithëve, me të drejtën e së drejtës për të kritikuar ia behin dhe staf nga opozita. Të vjen mirë kur ajo përfaqësohet nga njerëz që brenda vetes ruajnë jo pak qytetari. Ashtu si nga ana tjetër pak metra më tutje insitucionit të Bashkisë në breg jepen intervista politike. Akuza për gjithçka. Duke mos dashur të rendisim “krimet” pa fund të kësaj qeverisjeje, të bën jo pak përshtypje guximi saj për t’iu përgjigjur akuzave me lopatat e punëtorëve, të cilët tërhiqnin rërë të ndotur nga nafta dhe e ngarkonin mbi kamionë. Punohej. Ndoshta pak…Por rëra s’do hidhej mbi det që ta mbulonte të gjithin, këtë hapësirë detare, e cila i përket jo një Bashkie, por të gjitha insitucioneve. Së pari autoritetit portual të Portit Detar.

Gjithsesi dhe pse jo një ndotje drejtë një pritje katastrofash, secili individ i zgjedhur e dha zgjidhjen. Qeverisja mendoi se ishin pesë njolla. Ndaj zgjodhi vetëm pesë lopata. Opozita e kapi këtë ndotje si krenari Santiagoje dhe nuk vonoi të ngre po pesë akuza. Në të gjithë këtë shqetësim prej “blici” në një gji detar, më i madhi në vijën bregdetare të vendit tonë, kemi mendimin se lajmi ndotjes, interesi medias, tv, deklaratat, gjithçka të linte përshtypjen e një dite pushimi ku pushteteve iu prish rehatia “mjedisore”. Do kalojnë ditë (siç ikin pa kthim), ndotja do tretet natyrshëm, jo nga një shqetësim plot ndërgjegje dhe përkushtim politik. A nuk po përjetojmë çdo ditë krimin më historik që ia lejojmë vetes duke e dëgjuar? Dhe për mua, mendoj se dhe për të tjerët, krimi real është dhe janë akuzat politike! E tjetërsojnë realitetin duke e ndëshkuar akoma dhe më rëndë. Sepse të akuzosh politikisht s’ke bërë asgjë më shumë se ke krijuar diçka si pakënaqësi, duke bërë disa njerëz të jenë dakort me tezat e tua, ashtu si nga krahu tjetër s’ke ndihmuar të tregosh sa bindës dhe pranues je për kundërshtarin!

Ndaj, duhet t’i lëmë këto sjellje politike. Sepse vetë jeta e tyre nuk denjon të pushojë aty ku populli ngrohet në diell dhe infektohet në ujë, paguan për t’u ulur në rërë sa një ditë pune dhe disa njolla nafte e bënë plazhin e Durrësit të jetë sërish i gjallë, por politikisht dhe pse i vdekur…U ringjall i vrarë falë një dhurate si ky krimi mjedisor. I cili nuk është më ndotës se politizimi. Ky krim jo mjedisor. Antinjerëzor sepse nuk shpëton mjedisin. Ndaj vdesin njerëzit… Të cilët i paraprijnë vdekjes së detit. Kjo e fundit jo kaq e pabesueshme…

Marrë nga "Shekulli"

/portali DurresLajm/