Një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e punëtorëve ka ngritur akuza serioze për shfrytëzim të fuqisë punëtore në zinxhirin e furnizimit të lodrave Labubu, produkti viral që pushtoi tregjet globale vitin e kaluar dhe që pritet të vijojë rritjen edhe në 2026.

Sipas të dhënave të publikuara nga China Labor Watch (CLW), një OJQ me seli në Nju Jork, një nga furnitorët e kompanisë kineze të lodrave Pop Mart ka shkelur në mënyrë sistematike të drejtat e punëtorëve. Bëhet fjalë për fabrikën Shunjia Toys në provincën Jiangxi, në juglindje të Kinës, raporton The Guardian.

Punëtorë të mitur dhe kontrata bosh

Hetimi tre-mujor i CLW në vitin 2025 përfshiu intervista me mbi 50 punëtorë, përfshirë tre të mitur të moshës 16 dhe 17 vjeç. Edhe pse punësimi i kësaj grupmoshe lejohet nga ligji kinez, ai kërkon masa të posaçme mbrojtëse, të cilat sipas raportit nuk janë respektuar.

Punëtorët e mitur janë vendosur në linja standarde prodhimi, me të njëjtin ngarkesë dhe objektiva si punëtorët e rritur.

CLW thekson se shumë prej tyre nuk e kuptonin natyrën e kontratave që kishin nënshkruar dhe nuk ishin të qartë për statusin e tyre ligjor.

Një tjetër shkelje serioze lidhet me nënshkrimin e kontratave bosh.

Sipas dëshmive, punëtorëve u kërkohej të plotësonin vetëm të dhënat personale, ndërsa elementët kyç si paga, përshkrimi i punës, afati i kontratës dhe sigurimet shoqërore liheshin bosh.

Orë të gjata dhe objektiva të paarritshme

Në kushtet e kërkesës së lartë globale për Labubu, punëtorët raportuan objektiva prodhimi ekstremisht të larta: ekipe prej 25–30 personash duhej të montonin mbi 4 mijë lodra në ditë.

Ndërkohë, megjithëse ligji kinez kufizon orët shtesë mujore në 36 orë, CLW gjeti raste ku punëtorët kryenin mbi 100 orë shtesë në muaj.

Fabrika Shunjia Toys ka një kapacitet zyrtar prej 12 milionë lodrash në vit, por intervistat sugjerojnë se prodhimi real është shumë më i lartë. Vetëm dy ekipe, sipas vlerësimeve, prodhonin mbi 24 milionë njësi në vit.

Një zëdhënës i Pop Mart deklaroi për The Guardian se kompania e merr seriozisht mirëqenien e punëtorëve dhe se kryen auditime të rregullta, përfshirë kontrolle të pavarura nga palë të treta. Kompania tha se është duke hetuar akuzat dhe se, nëse ato konfirmohen, do të kërkojë masa korrigjuese të menjëhershme nga partnerët e saj.

Fabrika Shunjia Toys nuk ka komentuar lidhur me ngjarjen.

Siç shkruan The Guardian, kushtet e përshkruara në këtë rast nuk janë të izoluara, por pasqyrojnë realitetin e shumë fabrikave prodhuese në Kinë, ku mbikëqyrja ligjore mbetet e dobët, pavarësisht kuadrit ligjor ekzistues.

Drejtori ekzekutiv i CLW, Li Qiang, thekson se mekanizmat aktualë të kontrollit të zinxhirit të furnizimit nuk janë të mjaftueshëm dhe u bën thirrje kompanive si Pop Mart të rrisin transparencën, të krijojnë mekanizma ankese për punëtorët dhe të bëjnë publike strukturën e plotë të prodhimit.