Përfaqësues të opozitës kanë depozituar një kallëzim të ri në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në lidhje me përmbytjet në Durrës, duke lëshuar akuza të forta ndaj qeverisë pushtetit lokal dhe personalisht kryeministrit Edi Rama.
Në një prononcim për mediat para selisë së SPAK, anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD, Ilirjana Kuçana, deklaroi se përmbytjet që kanë prekur mijëra banorë në Durrës dhe zonat përreth nuk janë “çështje e Zotit”, por pasojë e drejtpërdrejtë e keqqeverisjes. Ajo akuzoi kryeministrin Rama si përgjegjësin kryesor për situatën, dhe që duhet të mbajë përgjegjësi.
“SPAK të merret seriozisht me këtë kallëzim, pasi bëhet fjalë për 400.000 banorë të Durrësit dhe jo vetëm, pasi keni parë që janë përmbytur dhe zona të tjera. Dhe ju them dhe ju siguroj se nuk është përmbytje dhe nuk është çështje e zotit. Unë kam ardhur këtu për të bërë përgjegjës pikërisht atë që mendon se është zoti i shqiptarëve, Edi Rama, që në shërbim ka dhënë djajtë e tij vetë korrupsioni, krimi…ku të gjithë shqiptarët i keni parë se me çfarë qeverisje kemi të bëjmë, me një narko qeveri. Jau kemi thënë vazhdimisht dhe kemi rreth një vit që ju themi që këta janë një grup i strukturuar kriminal.
Na kanë paragjykuar një pjesë edhe shqiptarëve, po edhe të gazetarëve. Në ditët në vazhdim do të shikoni video ku koordinatorët e krimit dhe përfaqësues të koordinatorëve të krimit janë në pazare të drejtpërdrejta me Edi Ramën. Edi Ramën nuk e shpëton dot më askush, as bashkëpunëtorët e tij. Edi Rama do të duhet të shkojë të përgjigjet për çështjen McGonigal dhe për çështje të nxehta të cilat ndodhen në SPAK,” tha Kuçana.





