Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko i ka dërguar shkresë zyrtare Shërbimit Informativ duke i kërkuar që t’i vendosin në dispozicion çdo informacion lidhur me akuzat e kryedemokratit Sali Berisha ndaj tij se është përgjuar nga SHISH.
“Në referencë të akuzave publike të deputetit z. Sali Berisha, në konferencën e tij për shtyp të datës 06.01.2025, ndërmjet të tjerash ai pretendonte se në bazë të një informacioni të SHISH, Unë Pandeli Majko jam vënë në përgjim nga institucioni Juaj”, shkruhet në shkresë.
Pandeli Majko shprehet në letrën drejtuar SHISH se si deputet ka të drejtë të kërkojë shpjegime për çdo çështje që ka të bëjë me përmbushjen e detyrës së tij.
“Lutem më vini në dispozicion, konfirmimin Tuaj nëse ekzsiton një përgjim i tillë dhe nëse po, vënien në dispozicion të saj dhe të cdo informacioni tjetër i cili ka lidhje me emrin Tim”, shkruan ligjvënësi socialist.
Shkresa e deputeti të PS-së drejtuar SHISH
Të nderuar
Në referencë të akuzave publike të deputetit z. Sali Berisha, në konferencën e tij për shtyp të datës 06.01.2025, ndërmjet të tjerash ai pretendonte se në bazë të një informacioni të SHISH, Unë Pandeli Majko jam vënë në përgjim nga institucioni Juaj.
Me cilesinë e deputetit të Kuvendit të Shqiperisë si dhe në bazë të Ligjit nr.8550, datë 18.11.1999 “Për Statusin e Deputetit” e konkretisht të nenit 8 në të cilën thuhet se:
1. Deputeti ka të drejtë të kërkojë shpjegime për çdo çështje që ka të bëjë me përmbushjen e detyrës së tij, nga ministrat ose nga drejtuesit e institucioneve të tjera qendrore, si dhe nga drejtuesit e çdo institucioni tjetër në administratën publike ose të qeverisjes vendore
2. Drejtuesit e institucioneve të përmendura në pikën 1 të këtij neni janë të detyruar t’i përgjigjen deputetit brenda 15 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës.
3. Në rast shkeljeje të pikës 2 të këtij neni, njoftohet Kryeministri për të nxjerrë përgjegjësitë përkatëse. Në rastet e enteve apo institucioneve të tjera qendrore, njoftohet organi prej të cilit ato janë zgjedhur.” lutem më vini në dispozicion, konfirmimin Tuaj nëse ekzsiton një përgjim i tillë dhe nëse po, vënien në dispozicion të saj dhe të cdo informacioni tjetër i cili ka lidhje me emrin Tim.
Bashkelidhur, Fotokopje e deklaratës së deputetit Sali Berisha.
DEPUTETI Pandeli MAJKO
Pandeli Majko: I gatshëm për të dorëzuar çdo imunitet parlamentar
Ndërkohë ditën e djeshme (7 Janar), Pandeli Majko u takua me kryeparamentaren Elisa Spiropali, ku deklaroi se i kërkoi që t’i drejtohet Shërbimit Informativ Kombëtar “për informacion me shkrim lidhur me aludimet për fshehje informacioni të deklaruar dje në publik nga Sali Berisha”.
Deputeti socialist deklaroi se kishte vendosur që të dorëzonte çdo imunitet parlamentar, që sipas tij, mund të jenë i nevojshëm për hetimin e çështjes së ngritur për emrin tij në deklarimet publike të kreut të PD-së.
“Sot, në takim me kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali!… I kërkova që brenda protokolleve në fuqi, ti kërkohej Shërbimit Informativ Kombëtar informacion me shkrim, lidhur me aludimet për fshehje informacioni të deklaruar dje në publik nga Sali Berisha!
Kam vendosur që të dorëzoj çdo imunitet parlamentar i cili mund të jenë i nevojshëm për hetimin e çështjes së ngritur për emrin tim në deklarimet publike të Sali Berishës!”, shkruan Majko.
Pas takimit të tij me kryetaren e Kuvendit, reagoi edhe Sali Berisha i cili u shpreh se Pandeli Majko “po kërkon strehim politik tek Spiropali”.
Po ashtu, kreu i PD-së deklaroi se “Pandeli Majko është përfshirë në dosjen e krimit elektoral në Kukës”.
“Majko kërkoi strehim politik tek Pëllumbesha Spirogjoka. Bravo Pandi! Të dashur miq, denoncimi im dje, për të katërtën herë i dosjese së krimit elektoral në Kukës, zgjoi më në fund Z. Majko. Theksoj dhe një herë se kjo dosje është e bazuar në regjistrimin ambiental, që implikon direkt Pandeli Majkon, Alban Çelën, Drejtorinë e OSSHE-së të Qarkut Kukës etj… në të cilën vertetohet tenderi me shtylla centrifugale prej rreth 800 mijë euro dhe shpërndarja e tyre për fushatë elektorale në Qarkun Kukës dhe Qarkun Durrës. Sugjerim! Z. Majko mos pyet Pellumbeshën për virgjërinë tënde se ajo është shumë zenë në betej me Lubi Ballukun e Nesti Ramën, që i hëngrën kokën Lal Vjedhësit, por shko merr dosjen në arkivën e “SKAPIT të Partisë”,”- shkroi kryedemokrati.
Akuzat e Sali Berishës
Ndërkohë më 6 Janar, në një konferencë për mediat, Sali Berisha teksa po komentonte vendimin e kryeministrit Edi Rama për të hequr deputetin socialist si drejtues qarku të PS-së në Kukës, u shpreh se “Pandeli Majko është kriminel i madh elektoral”.
Krydemokrati deklaroi se Pandeli Majko është i regjistruar në tavolinë me regjistrues, të vendosur me vendim gjykate nga Shërbimi Informativ Kombëtar, “jo për Pandeli Majkon, por për trafikantë droge dhe armësh që mblidheshin aty”.
“Aty shkon Pandeliu me këtë Alban Çelën dhe drejtorin e OSHEE të Kukësit dhe fillojnë. I thotë atij drejtorit, ti në Has do të kërkosh kaq shtylla centrifugale dhe do i marrësh në një kompani këtu buzë Erzenit. Ato kushtonin nja 40 deri në 60 mijë euro. Por i thotë, do faturohen 800 mijë euro, nga të cilat 300 do i dërgohen Tropojës për të blerë vota, 200 mijë do dërgohen në Durrës, të tjerat do përdoren në Kukës”, u shpreh Berisha.