Kryetari i Bashkisë së Shijakut, Elton Arbana, ka reaguar ndaj denoncimeve të kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili tha se po shkaktohen krime mjedisore duke djegur tonelata me plehra në këtë bashki.
Përmes një statusi në Facebook, Arbana shkruan se opozita ka nisur tashmë sulmin, ashtu siç kishte paralajmëruar, ndërsa sqaron se zjarrvënia ishte e qëllimshme në kontejnerët e mbetjeve urbane në njësinë administrative Gjepalaj.
“Ujrat e trazuar qëndrojnë në llumin ku burojnë. Ashtu siç kishte paralajmëruar opozita, muaji shtator do të jetë muaji i sulmit dhe ja ku ndodhi një zjarrvënie e qëllimshme në kontenierët e mbetjeve urbane në njësinë administrative Gjepalaj. Sapo morëm informacion dërguam grupin e zjarrfikëseve, sektorin e shërbimeve dhe të gjitha masat e duhura për të mbajtur në kontroll situatën dhe për të mos lejuar përhapjen e mëtejshme të zjarrit. Pavarësisht çdo qëllimkeqi që na del përpara ne do të vazhdojmë punën tonë me këmbëngulje, vullnet dhe përkushtim për të përmbushur detyrimet ndaj qytetarëve të cilëve i shërbejmë. Opozitës i mbetet të paktën të mësojë nga gabimet e së shkuarës dhe se ku duhet ta drejtojnë pasionin dhe furinë e tyre politike, pa dëmtuar qytetarët. Ku ka vullnet, ka zgjidhje! Sapo me njoftuan qe qenka arrestuar nje person per zjarrvenie te qellimshme A.Meta (ironia fatit me te njejten mbiemer si ish presidenti)”-shkruan Arbana.





