Qeveria, me anë të portalit transparenca.al, i është përgjigjur akuzave të Partisë Demokratike mbi një tender të fituar nga shoqëria Intech+ shpk, shoqëri kjo e lidhur me ministrin e shëndetësisë Ilir Beqaj. Qeveria sqaron se nuk bëhet fjalë për një prokurim të ri, por për vazhdimin e një kontrate shërbimi të lidhur që në vitin 2007.

Kontrata në fjalë është lidhur pas një proçedure prokurimi tender i hapur elektronik, e zhvilluar me shumë se një vit më parë nga FSDKSH, më datë 22.12.2014, për mbështetjen e sistemit ekzistues të kontabilitetit dhe auditit te FSDKSH, – thuhet në sqarimin e qqeverisë në transparenca.al. – Ky sistem  është blerë që në vitin 2007 nga e njëjta kompani… shërbimi, së cilit i referohet deklarata e PD, ka të bëjë me përditësimin, apo siç njihet në gjuhën teknike, “upgrade” të shërbimit që parashikohet në kontratën që shoqëria Intech+ shpk ka lidhur që më datë 09.07.2007 me institucionin e atëhershëm të ISKSH.”