Partia Demokratike publikoi të hënë disa emaile që sipas saj provojnë se ish-drejtoresha e QSUT-së Albana Fico ka ndërhyrë në sistemin e farmacive online për kalimin e medikamenteve të skaduar në farmacinë e pediatrisë.
Qendra Universitare Spitalore ka reaguar pas këtyre akuzave duke i cilësuar të pavërteta. “Në QSUT nuk përdoren ilaçe të skaduara”, thuhet në njoftimin e qendrës spitalore.
“Ato që janë servirur si “dokumente” dhe “prova” kanë të bëjnë me procesin e menaxhimit administrativ, dhe NUK kanë të bëjnë në asnjë rast me lëvizjen fizike të sasisë gjendje të medikamenteve të magazinuara dhe aq më tepër për përdorimin e tyre për pacientët”, thuhet në këtë njoftim.
Sipas QSUT, ngritja e këtyre pretendimeve të pabaza, po dëmton qëllimisht punën e ekipit mjekësor në shërbim të pacientëve.
Sipas QSUT, “për terapinë ditore të pacientit, është e bllokuar dhe e pamundur të shkarkohet një medikament i skaduar. Nuk ekziston dhe nuk ka asnjë rast apo mundësi të ndryshimit të skadencës së një medikamenti”.