Kryeministri Edi Rama foli sot në një intervistë televizive për dokumentarin e publikuar ditë më parë nga emisioni “Report” i televizionit italian RAI 3, ku deklaroi se “kur sulmohet Shqipëria është e pamundur që unë të mos reagoj”.
I pyetur se cili është qëndrimi i tij për dokumentarin e RAI 3 dhe se çfarë nuk shkon sipas tij, Rama tha se “ishte një produkt që dukej si i nxjerrë nga magazinat e errëta të kohës së palavdishme të medias italiane, kur sa herë që fliste për albanezi, fliste për vrasës, fliste për trafikantë, fliste për prostituta, fliste për hajdutë dhe për Shqipërinë si atdheu i krimit dhe i të gjithë të këqijave.
E dyta, nuk është një zënkë verbale.
Është thjesht një reagim në funksion të së vërtetës, të së vërtetës së thjeshtë. Se ndër shumë gënjeshtra që u thanë aty, u tha edhe një gënjeshtër shumë e madhe, që viktimat e atij agresioni, dhe viktima kryesore ishte Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, kishin refuzuar të përgjigjeshin, kishin refuzuar të jepnin opinionin e tyre”.
“Kam marrë përgjigje me shkrim, sepse pyetjet janë dërguar me shkrim në kohën e duhur, në afatin e përcaktuar prej atyre vetë. Dhe kulmi është që pasi e thonë këtë gënjeshtër vetë në emision duke krijuar një moment tjetër të hijes së dyshimit për gjithë atë konspiracion të ngritur mbi mbledhjen e ujërave të zeza të kanaleve politike dhe mediatike të Tiranës, shfaqen edhe këtu në një kanal të ujërave të zeza dhe vazhdojnë duke i thënë shqiptarëve, sa fatkeqësi e madhe që as përgjigje nuk denjuan të kthejnë. E pra kjo është skandaloze. Është normale që për këtë të reagohet”, theksoi Rama.
Pyetjes nëse shikon një sulm ndaj tij, ndaj qeverisë italiane apo ndaj Shqipërisë, sepse Italia do të ketë edhe zgjedhje lokale njëkohësisht me zgjedhjet e parlamentit europian, Rama iu përgjigj se “jam mësuar me sulmet dhe të them të drejtën nuk më bëjnë përshtypje si sulme dhe nuk më prekin se janë sulme, por në këtë rast si në çdo rast kur sulmohet Shqipëria, kur përbaltet Shqipëria, kur Shqipëria iu paraqitet të huajve nga të huajt në një dritë të tillë unë revoltohem. Nëse do kishte qenë për mua personalisht nuk do kisha bërë asnjë reagim. Siç nuk bëra asnjë reagim që aty ishte përfshirë edhe familja ime, madje edhe pastaj sqarova që nuk po hyj tek ajo pjesë”.
“Nëse ka një gjë që për mua është e dorës së parë është krenaria për Shqipërinë, është ngritja e kokës e Shqipërisë dhe mundësia për ta parë ne sy si të barabartë, gjë që ne po e arrijmë dhe çdo përpjekje për të na ulur kokën në mënyrë të padrejtë, në mënyrë skandaloze atëherë do të marrë përgjigje”, tha Rama.
Lidhur me telefonatën e kryer me drejtorin e Rai3, Rama theksoi se “nuk kisha se me të komunikoja tjetër, nuk komunikova me drejtorin e Rai3 për t’u ankuar për ndonjë gjë që është punë e gazetarëve, por për t’i bërë me dije se një skandal i madh deontologjik dhe etik ka ndodhur, pasi përmes ekranit të shërbimit publik italian iu është përcjellë atyre që e kanë ndjekur në Itali dhe Shqipëri një gënjeshtër e pafalshme për atë burimin e informacionit. Kanë pasur në dorë përgjigjet e dhëna dhe nuk kanë publikuar asnjë nga këto dhe kanë thënë që nuk na janë përgjigjur. Kjo është kulmi dhe e vetmja gjë ka qenë dhe nuk ka qenë asgjë tjetër”.