Fjalë të ashpra nga Karl Hainc Rumenige në drejtim të Federatës Gjermane të Futbollit dhe trajnerit Joakim Lëv. Para takimit të luajtur në Mynih mes Bajernit dhe Lajpcigut, CEO i kampionëve në fuqi lëshoi kritika ndaj trajnerit të kombëtares.

“Të them të drejtën, në kohët e fundit për mua në Federatën Gjermane të Futbollit kam parë shumë Oliver Birhofin dhe shumë pak Joakim Lëvin. Ai duhet të dilte përpara mikrofonave pas dështimit në Spanjë dhe jo drejtori sportiv. Vetëm trajneri mund ta shpjegonte më mirë situatën. Kur humbet me atë rezultat, jo vetëm gazetarët, por edhe tifozët kërkojnë një shpjegim të detajuar për gjërat që shkuan keq”, tha Rumenige.

Kujtojmë që të premten ishe Oliver Birhof që doli në një konferencë për shtyp ku sqaroi pozicionin e trajnerit të kombëtares gjermane për të ardhmen. Sipas Rumeniges, DFB dështoi të analizonte me kujdes situatën e Lëvit duke marrë vendimin për të vazhduar të punojë me kombëtaren.

“Mendoj që është faji i DFB-së, nuk ka asnjë njeri kompetent për të analizuar situatën dhe kjo deri te presidenti. Mendoj që Jogin duhet ta kishin këshilluar më mirë për të vepruar në situata të tilla.Ai u mbrojt duke heshtur, por kjo është një taktikë jo e mirë, pasi këtu po flasim për një çështje që na përket të gjithëve. Shpresoj që kjo gjë të ndryshojë në të ardhmen. Nëse vendimi për ta mbajtur ka qenë i mirë, këtë do ta mësojmë në verë.”

Kalle është gjithashtu i pakënaqur me trajnerin e kombëtares, pasi ky i fundit mungoi në ndeshjen ndaj Lajpcigut duke injoruar supersfidën.

“Lëv ka vendin e tij në tribunë, por shpeshherë ai vend është bosh, kështu ndodhi edhe ndaj Dortmundit.Ai duhet të jetë prezent në sfida të tilla ku luajnë shumë prej lojtarëve të kombëtares, nuk më pëlqen ta them këtë gjë, pasi këto janë parime bazë të punës së trajnerit të kombëtares”.

Ndërkohë, sipas “Bild”, Federata Gjermane e Futbollit ka komunikuar se Joakim Lëv do të dalë sot për një deklaratë për shtyp ku do të flasë për të ardhmen e tij me Gjermaninë dhe shkaqet që sollën atë humbje të thellë ndaj Spanjës.