Aq fort janë turbulluar ujrat në shtëpinë e kampionëve në fuqi të Francës, Paris Saint Germain, nga ajo shfaqje e shëmtuar që mbrojtësi Serge Aurier dhuroi për fansat duke vjellur vrer mbi trajnerin Laurent Blanc dhe shokët e ekipit, më në veçanti ndaj Zlatan Ibrahimoviç, sa që pezullimi nga ekipi është pa asnjë mëdyshje dënimi më i lehtë dhe shqetësimi më i vogël për futbollistin nga Bregu i Fildishtë.
Ndërkohë që gjigandi Ibra nuk është përgjigjur apo shprehur ende hapur mbi deklaratat dhe epitetet që shoku i tij i ekipit, Aurier ka lëshuar ndaj tij, duke kapërcyer çdo kufi, duke u mjaftuar këto ditë në fokusimin për të përkthyer me saktësi dhe në detaje të gjithë deklaratën, sikurse mësohet të ketë qenë vetë kërkesa e suedezit, trajneri Blanc është shprehur shumë i zhgënjyer.
“E gjithë kjo është shumë e dhimbshme. Ky episod ka shqetësuar të gjithë grupin, pasi askush nuk mund ta imagjinonte një situatë të tillë, e cila për fat të keq mund t’i ndodhë çdo klubi, mbi të gjitha për shkak të rrjeteve sociale. Personalisht e kam marrë shumë keq, pasi edhe pse çdo kush ka të drejtën të mendojë e të thotë atë që dëshiron, nga Aurier nuk mund ta prisja kurrë”, u shpreh trajneri Blanc.
“Kam qenë unë, me një insistim shumë intensiv ndaj drejtuesve të klubit që dy vite më parë arrita të realizoj ardhjen e Aurier këtu te PSG. Sot, gjithçka që marr në shkëmbim është kjo. Më duket shumw e dhimbshme. U vetëdëmtua dhe do të paguajë pasojat, por ajo që është më e rëndë, është fakti që ka penalizuar klubin. Me Aurier do ta zgjidh personalisht këtë çështje. Për momentin ai mbetet i pezullutar. Në momentin kur klubi të marrë një tjetër vendim, atëherë do të informoheni”, përfundoi trajneri i PSG, Laurent Blanc, në lidhje me shfaqen e turpshme të Aurier dy ditë më parë në aplikacionin “Periscope”.