Mbi 9 milionë e gjysmë dollarë, ose 9 miliardë e 720 milionë lekë i ka dhënë Edi Rama një firme ndërtuese për të bërë më pak se një kilometër, saktësisht 950 metra rrugë në Lin të Pogradecit. Kështu deklaroi sot Sekretarja e Marrëdhënieve me Publikun në PD, Grida Duma, e cila theksoi se kjo është një shifër rekord abuzimi dhe korrupsioni.
“Nuk është një shaka e 1 prillit, por kjo është në praktikë marrëveshja e 1 prillit.
Përveç kësaj, ky tender ka dhe paligjshmëri të tjera, si fakti që mungon mbikëqyrësi i këtyre punimeve. Një kërkesë kjo e ligjit, dhe ende nuk ka një mbikëqyrës të shpallur zyrtarisht nga autoriteti rrugor, të dhëna këto që mungojnë edhe në tabelën e objektit..
Qeveria me kontratën e lidhur më 2 shkurt, ka favorizuar firmën PE-VLA-KU, pasi siç shihet qartë nga dokumentacioni, ky ndërtues ka marrë 99 për qind të fondit limit. Është e dukshme se nuk ka pasur garë. 9 milionë e gjysmë dollarë për 950 metra rrugë kanë shkuar drejt e te miku i qeverisë”, tha Duma.
Më tej, Duma ngriti pyetjen se “Cila është pjesa e Edi Ramës në këtë aferë, i cili jo më kot cilësohet edhe nga mediat ndërkombëtare si politikani më i pasur në Europë?”





