Pas deklaratave nga selia blu të nënkryetarit të PD-së, Edi Paloka, i cili ka nxjerrë emrat që sipas PD-së janë policët e implikuar në trafik droge, ka reaguar Policia e Shtetit.
Përmes një deklarate për shtyp, Policia Shtetit i kërkon PD-së të ndalë luftën e përditshme politike kundër punës dhe rezultateve të saj.
Reagimi i Policisë:
“Në respekt të opinionit publik, por edhe punës së pakursyer të trupës policore, rikujtojmë se politika nuk bëhet duke sulmuar policinë, por duke mbështetur përpjekjet e saj kundër krimit dhe paligjshmërisë.
Është shqetësuese përsëritja e përditshme e sulmeve dhe baltës kundër Policisë, në një kohë që Policia është përditë në betejë me krimin.
Kur Policia është kundër krimit, PD është kundër Policisë.
Edhe më shqetësues bëhet ky fakt, teksa rezultatet kundër kultivimit të drogës rriten. Kjo luftë që nisi në pranverën e 2014 në Lazarat e që vazhdon përditë edhe sot, është një histori suksesi që Policia e Shtetit po e shënon çdo ditë.
Policia e Shtetit fton PD-në të denoncojë në Prokurori çdo informacion që zotëron për kultivimin e narkotikëve si dhe për çdo person të implikuar.
Kjo ndihmon shumë më tepër sesa balta e hedhur përditë mbi Policinë e Shtetit.”
Në një dalje nga selia blu, deputeti demokrat Paloka, akuzoi Drejtorin dhe zëvendësdrejtorin e Kufirit në Portin e Durrësit, Boge Budinin dhe Mojsi Sulajn, se ata mundësojnë kalimin e drogës përmes portit më të madh të vendit.
Gjithashtu, akuzoi dhe Drejtorin e Policisë së Qarkut Durrës, bashkë me shefin e Komisariatit Krujë, se drejtojnë dhe kontrollojnë territorin dhe trafikun e hashashit në gjithë malësitë e Krujës, si edhe drejtorët e policive të qarqeve Shkodër, Lezhë e Gjirokastër (Lexo: “Droga kalon nga porti i Durrësit përmes drejtorit dhe zv.drejtorit të Kufirit”)





