Tiranë, 21 prill 2014  – Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar e ka cilësuar të çuditshme dhe qesharake kërkesën e mazhorancës për ngritjen e një komisioni hetimor, në lidhje me akuzat për përfshirje të Forcave të Armatosura në trafikun e drogës. 

“Të enjten e kaluar u munduan të silleshin si gaztorë, këtë të enjte kanë paralajmëruar të sillen si të shkalluar. Duan të hetojnë pse e tha ai që e pa, pse nuk mbyllen sytë specialistët në ushtri apo Policinë e Shtetit, pse e panë. Duan ti japin mësimin e heshtjes këtyre punonjësve dhe përmes tyre edhe drejtësisë”– deklaroi Basha. 

Kreu i PD-së shprehu vendosmërinë e opozitës për të bërë transparencë lidhur me këtë çështje, që siç tha ai, është jetike pasi ka të bëjë me kapjen ose jo të shtetit nga krimi. Dy ditë më parë, maxhoranca zyrtarizoi kërkesën për ngritjen e një komisioni i cili kërkon “zbardhjen e plotë të motiveve dhe arsyeve, verifikimin e plotë të fakteve dhe të provave që provojnë ose përgënjeshtrojnë akuzat e artikuluara publikisht nga përfaqësues të lartë politikë kundrejt Forcave të Armatosura për vënien në dispozicion të infrastrukturës së Ushtrisë për veprimtari kriminale: transport i lëndëve narkotike”. 

Ndërkohë gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD, Basha akuzoi qeverinë se ka goditur kompetencat e kreut të shtetit, si në rastin e ILDKP, ashtu edhe për sa i përket propozimeve për gjyqtarët. 

“Qëllimi i vetëm i dyshes Rama-Meta është ta shndërrojnë Shqipërinë në republikën e oligarkisë”,- tha Basha. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/