Nuk ndalen akuzat korruptive në drejtim të ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj. Partia Demokratike ka denoncuar sërish sot ministrin për një tjetër rast korrupsioni, sipas të cilëve, Beqaj i ka dhënë firmës së tij INTECH plus 85 milionë lekë për instalimin e një programi te Fondi i Detyrueshëm i Sigurimeve Shëndetësore.
Në një deklaratë për mediet, deputetja e PD-së Arbiola Halimi, tha se ky është një nga tenderët më të parregullt që kanë konstatuar audituesit, pasi jo vetëm kanë gjetur mungesë dokumentacioni, por firma e themeluar nga Ilir Beqaj, ishte ofertuesi i vetëm.
“Sipas burimeve zyrtare, edhe pse në këtë rast Beqaj, i dha me firmën e tij, 85 milionë lekë firmës së tij, Intech plus, shërbimi as nuk është ofruar.
Sistemi i kontabilitetit Oracle, për të cilën Beqaj i dha Beqës 85 milionë lekë, nuk funksionon.
Vjedhje e hapur, paratë janë dhënë, puna nuk është bërë.
Me gjithë këto rekorde skandaloze korrupsioni, Ilir Beqaj vazhdon të fitojë zemrën e Edi Ramës i cili e ka caktuar së fundmi dhe koordinator për matjen e punës së qeverisë”, u shpreh deputetja demokrate.