Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi i është përgjigjur akuzave ndaj saj për llogari offshore apo dhe marrëdhënie biznesi jashtë vendit.

Në një deklaratë për mediat, Kryemadhi i ka hedhur poshtë akuzat duke deklaruar se ajo nuk ka asnjë biznes apo aksione në kompani brenda dhe jashtë vendit.

Sipas saj, përgjegjës për këto akuza të rreme është kryeministri Edi Rama. Deputetja e PL shtoi se Rama ka nisur një fushatë të gjerë dezinformimi duke përdorur shërbime izraelite.

Monika Kryemadhi: “Team Jorge” e liderit Tal Hanan, ka një aktivitet të gjerë në ballkan dhe Tal Hanan është një emër i njohur edhe për organet e sigurisë të vendeve tona partnere. Ka disa burime të cilat i besoj, më kanë krijuar bindjen se Edi Rama, shoku i ngushtë i planeve ballkanike me Aleksander Vucic, mund të ketë përdorur të njejtat shërbime të Izraelitit Tal Hanan, për të prodhuar edhe fushatën e shpifjeve kundër emrit tim, që ka xhiruar në gojën e qeveritarëve dhe mediat e lidhura me ta këto ditët e fundit. Unë dua të sqaroj përpara opinionit publik, se Monika Kryemadhi, nuk ka patur dhe nuk ka asnjë llogari bankare jashte territorit të Shqipërisë. Dua t’ju konfirmoj, se nuk kam asnjë marrëdhënie biznesi jashtë territorit të Shqipërisë. Si dhe nuk kam qenë kurrë aksionere në asnjë kompani private, as brenda, as jashtë vendit, në jetën time. Arsyeja e angazhimit nga Edi Rama, të shërbimeve të ngjashme me ato që Tal Hanan ka ofruar në shërbim të vucicit të Serbi, sic e dekalron OCCRP, kanë të bëjnë vetëm me një gjë: Incerenatorët.

Unë si kallëzuese e inceneratorëve, nuk i kthehem pas kallëzimeve të mija, për faktet flagrante të shkeljes së ligjit nga Edi Rama, Armando Subashi, dhe të gjithë zyrtarët e zinxhirit të këtij grupi mafioz.

Për të gjithë shqiptarët, dua ta dini se këto shërbime të dezinformacionit janë të gjitha të financuara nga paratë tuaja.

Ndaj paratë për inceneratorët nuk ndalojnë. ju e keni parë me video se aty mbetjet as nuk trajtohen, as nuk digje, por vetëm hidhen kapic në mënyrë primitive.