Deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhafaj, ka reaguar ashpër pas akuzave që e lidhin me ndërhyrjet e paligjshme në postën elektronike të prokurorëve të SPAK. Në një deklaratë të gjatë në rrjetet sociale, Xhafaj i cilëson këto pretendime si “trillime dashakeqe” dhe “një fushatë të orkestruar për të njollosur figurën e tij”.
Sipas tij, akuzat për kontroll zyre, sekuestrim laptopi apo dokumentesh janë thjesht “sajesa monstruoze” të disa individëve që kërkojnë të dëmtojnë reputacionin e tij për arsye politike, ndërsa thekson se “asgjë nuk është e vërtetë nga ajo që është thënë kohët e fundit”.
“Jam i vendosur dhe nuk më trembin këto sulme. Zgjedhësit më njohin dhe do më votojnë sërish në 11 maj,” shkruan Xhafaj, duke e cilësuar veten si një politikan që ka kontribuar në reformat kyçe të vendit, përfshirë atë në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit.
Xhafaj thekson se nuk do të ndalet përballë “kuzhinierëve të çorbës së vjetër” dhe premton se e vërteta do të dalë në dritë. Ai nuk përjashton që akuzat të kenë lidhje me garën për zgjedhjet e 11 majit, ku ai kërkon një “kontratë të re besimi” me qytetarët e Tiranës.