REAGIMI
Nisur nga deklaratat e pavërteta të Partisë Demokratike, mbi të ashtuquajturën “fshehje të vdekjeve nga Covid-19”, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale garanton qytetarët se janë raportuar përpikmërisht të gjitha rastet e fataliteve të raportuara nga spitalet Covid, përgjatë gjithë periudhës së pandemisë.
Artikulli i “The Economist”, të cilin Partia Demokratike e lexon dhe interpreton në mënyrë të shtrembër, siç ka bërë gjatë gjithë kohëzgjatjes së pandemisë, referon një përllogaritje të fataliteteve shtesë.
Sipas kësaj përllogaritje, në të gjithë Botën, numri i vdekjeve shtesë nga Covid-19 dhe pasojave të tij, vlerësohet të jetë 4 herë më i lartë se numri i fataliteteve të raportuara nga Covid-19 (nga rreth 5.5 milion fatalitete në botë, vdekshmëria shtesë si pasojë e COVID-19 vlerësohet të jetë rreth 19.1 milion).
Edhe në Shqipëri, sipas këtij vlerësimi të bazuar mbi simulime statistikore, përcaktohet i njëjti koefiçient si mesatarja botërore.
Sipas raportit të “The Economist”, vdekshmëria e vlerësuar shtesë për Shqipërinë është më e ulët se sa vende të rajonit dhe më gjerë, si për shembull Mali i Zi, Rumania, Bosnia dhe Herzegovina, Lituania, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bullgaria.
Shprehim keqardhjen për “vallen e vdekjes” që vazhdon të heqë Partia Demokratike, tek këmbëngul me shifrat e fataliteteve të pandemisë. Nuk ka qytetar jashtë dyerve të blinduara të PD-së, që të mos e kuptojë se kjo është një orvatje e dëshpëruar për të larguar vëmendjen prej “valles së turpit”, rreth e qark SHQUP-it.