Tiranë, 30 maj 2014 – Komisioni Hetimor për Çështjen e Drogës do të prezantojë ditën e nesërme rreth orës 11:00 rezultatet e hetimit.
Kryetarja e këtij komisioni Ermonela Felaj mblodhi gazetarët për t’u bërë të ditur që nga akuzat për trafik droge kanë dalë të dhëna të reja interesante, por nuk dha asnjë detaj se cilat ishin këto të dhëna.
E pyetur nga gazetarët në lidhje me deklaratën e prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla, se organi i akuzës ka siguruar prova për përfshirjen ushtarakë në trafikun e drogës, Felaj tha se ky është një hetim i fshehtë për të cilin nuk ka të dhëna.
“Ne nuk e njohim hetimin e prokurorisë, dimë që ka nisur një hetim, por nuk e njohim se çfarë përmban. Ajo që nënkuptojmë se ka gjetje interesante i referohet faktit për të dhëna që nuk janë bërë asnjëherë publike deri më sot. Të dhënat janë të tilla që sqarojnë qoftë gjendjen para 23 qershorit dhe qoftë pas 23 qershorit. Keni përgjigje për çfarëdolloj pyetje.”– u shpreh Felaj.
Ajo deklaroi se komisioni hetimor ka vazhduar punën çdo ditë dhe mohoi që Forcat e Armatosura të jenë të përfshira në trafikun e drogës.
“Brenda një kohë të arsyeshme institucionet na janë përgjigjur duke na vënë në dizpozicion një material shumë voluminoz. Një material i cili do t’na tregojë shkallën e vështirësisë të të gjitha akuzave të ngritur deri më sot. Ministria e Mbrojtjes dhe të gjitha stukturat e saj, SHISH, Drejtoria e Përgjitshme e Policisë, Autoriteti e autorit civle, Albkontrol, doganat kanë dhënë informacione. Është material i gjerë, kërkon kohë për t’u analizuar, por gjetjet janë shumë interesante”,-tha ajo.
Gazetarët kanë shprehur habi se përse u thirrën ditën e sotme, ndërkohë që rezultatet e hetimit do të bëhen publike nesër. Madje pati dhe pyetje të tilla nëse kjo konferencë për publikimin e të dhënave u adresohej ndonjë pale tjetër veç gazetarëve dhe nëse kishte ndonjë marrëveshje të fshehtë që pritej të mbyllej deri nesër.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





