Ashtu siç është paralajmëruar edhe më herët, seanca e sotme e Kuvendit pritet të shoqërohet me debate dhe tensione nga ana e opozitës.

Kuvendi do të mblidhet sot në orën 10:00 nën drejtimin e zv/kryetares Vasilika Hysi, ndërsa në rend të ditës është parashikuar të bëhet edhe betimi i deputetit më të ri të Republikës së Shqipërisë, Spartak Braho, i cili zëvendësoi Saimir Tahirin, pasi ky i fundit hoqi dorë nga mandati, i cili aktualisht ndodhet në ‘arrest shtëpie’.

Opozita paralajmëroi se seanca e së enjtes nuk do të jetë normale nëse nuk jep dorëheqjen Xhafaj, ndërsa deputetët do tentojnë të bllokojnë punimet. Xhafaj në një dalje publike dje për mediat sulmoi opozitën, dhe theksoi se audiopërgjimi i publikuar nga PD ku pretendohet se është regjistruar vëllai i tij, është manipulim. Ministri theksoi se do të vijojë detyrën dhe se nuk trembet nga shantazhet.