Policia e Durrësit ka referuar në Prokurori materialet për nisjen e procedimit penal ndaj pesë mjekëve të Spitalit Rajonal Durrës, pas një kallëzimi të bërë nga shtetasi E. D., 48 vjeç.

Sipas tij, nëna e tij, Q. D., 69 vjeçe, humbi jetën në ambientet e spitalit dhe ai pretendon se stafi mjekësor nuk i ofroi ndihmën e duhur.

Nën hetim janë vënë shtetasit Gj. Q., 44 vjeç, N. M., 58 vjeç, S. B., 60 vjeç, I. N., 47 vjeç dhe A. K., 32 vjeç, të gjithë me detyrë mjekë në spitalin e Durrësit. Ata do hetohen në gjendje të lirë.

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit Gj. Q., 44 vjeç, N. M., 58 vjeç, S. B., 60 vjeç, I. N., 47 dhe A. K., 32 vjeç, banues në Durrës, në Tiranë dhe në Kavajë, me detyrë mjekë në Spitalin Rajonal Durrës, pasi ka kallëzuar shtetasi E. D., 48 vjeç, banues në Durrës, se në këtë spital ka humbur jetën nëna e tij, shtetasja Q. D., 69 vjeçe, dhe pretendon se stafi mjekësor nuk i ka dhënë shërbimin e duhur mjekësor.