Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka marrë masa disiplinore ndaj disa ish-drejtuesve të Policisë së Lezhës. Për ish-zëvendësdrejtorin e Rendit, Taulant Gjoka, dhe ish-shefin e komisariatit, Oltion Gjoni, është kërkuar përjashtimi nga radhët e uniformave për shpërdorim detyre, pasi dyshohen se kanë lejuar lojërat e fatit dhe kultivimin e kanabisit.
Taulant Gjoka aktualisht mban postin e Shefit të Sektorit të Sigurisë Publike në DVP Shkodër, ndërsa është në pritje të vendimit nga komisioni, pasi ka apeluar masën disiplinore. Për ish-drejtorin e Policisë së Lezhës, Altin Mena, u vendos ulje në gradë për pesë vite. Mena aktualisht është zëvendësdrejtor për Sigurinë Publike në DVP Kukës. Ndërkohë, për zëvendësdrejtorin për Krimet, Kujtim Gjoka, është vendosur shtyrje e aftësisë për gradë. Aktualisht, Gjoka është i komanduar në detyrën e Drejtorit të DVP Lezhë.
Nga radhët e policisë është kërkuar gjithashtu përjashtimi i Mariglen Duçit, ish-shefit të Komisariatit të Policisë Dibër, i cili aktualisht është Shef i Sektorit për Hetimin e Krimeve në Kukës. Lidhur me këto masa dhe akuzat e ngritura, pritet që Agjencia e Monitorimit të Punës Disiplinore (AMP) të nisë një hetim për verifikim të mëtejshëm. Masat për largime dhe ulje në gradë erdhën pas zbulimit të një ambienti kazinoje në qytetin e Lezhës dhe një shtëpie bari në zonën e Rrilës.





