Pedagogu i Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, Xhevat Krasniqi, i cili akuzohet nga studentët për ngacmim seksual, është pezulluar nga detyra.
Krasniqi u akuzua nga 27 studentë për ngacmim seksual. Lëvizja Feministe Studentore për disa ditë rresht protestoi para rektoratit të Universitetit. Aktivistët kërkuan shkarkimin e pedagogut, duke cituar fjalët, që sipas tyre ka thënë profesori “Unë jam i drejtë në vlerësim, e kështu jam i drejtë, kur dush të bëj masazh”.
Një nga studentet tregoi në protestën e një ditë më parë para Këshillit të Etikës të Universitetit të Prishtinës momentin kur pedagogu i kishte ofruar masazh.
“Ti mu më ke thënë kam be të bo masazh. Pikë. Të kam pa me sy dhe të kam ndi me vesh, mos u ka me lojëra fjalësh. Ti na shkaktu trauma. Nuk mjuafton falja, edhe prindërve tanë u ke shkaktuar stres”, i drejtohet ajo pedagogut, ndërsa studentët e tjerë i thonë se duhet të kërkojë falje dhe të ikë nga puna.
Këshilli i Etikës nuk mori vendim dje, por sot, u vendos pezullimi i tij deri në marrjen e një vendimi.