Eric Swalwell ka pezulluar fushatën e tij për guvernator të Kaliforni, pas rritjes së presionit lidhur me akuzat për sjellje të pahijshme seksuale.
Demokrati është akuzuar nga katër gra për sjellje të papërshtatshme, që variojnë nga ngacmimi seksual deri te pretendime për përdhunim. Swalwell i ka mohuar kategorikisht akuzat, duke deklaruar se do të mbrohet “me fakte”, shkruan BBC.
Në një reagim në rrjetin social X, ai u shpreh: “Po e pezulloj fushatën time për guvernator. Familjes sime, stafit, miqve dhe mbështetësve, më vjen shumë keq për gabimet në gjykim që kam bërë në të kaluarën. Do të luftoj akuzat serioze dhe të rreme që janë bërë – por kjo është lufta ime, jo e një fushate.”
Vendimi i tij vjen vetëm pak javë para zgjedhjeve paraprake të 2 qershorit, ku ai konsiderohej një nga kandidatët kryesorë për të zëvendësuar guvernatorin në largim, Gavin Newsom.
Akuzat dolën fillimisht në media, ku një ish-punonjëse pretendoi se Swalwell kishte bërë komente dhe mesazhe të papërshtatshme ndaj saj, si dhe ngriti dyshime për një incident në vitin 2019. Më pas, edhe tre gra të tjera dolën me pretendime të ngjashme.
Pas publikimit të akuzave, Swalwell humbi mbështetjen e figurave të rëndësishme demokrate, përfshirë Adam Schiff dhe Hakeem Jeffries.
Megjithatë, ai këmbënguli në pafajësinë e tij: “Për gati 20 vjet i kam shërbyer publikut dhe gjithmonë kam mbrojtur gratë. Do ta mbroj veten dhe, kur të jetë e nevojshme, do të ndërmarr veprime ligjore.”





