Policia e Kosovës ka arrestuar në Ferizaj një shtetas të Kosovës të quajtur Visar Avdyli, për të cilin ishte lëshuar një urdhër-ndalimi ndërkombëtar. Sipas njoftimit të policisë, 35-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet norvegjeze, për veprën penale “Vrasje”, të kryer në Oslo mnë datë 07.10.2021.

“Personi i arrestuar përveç shtetësisë kosovare posedon edhe shtetësi norvegjeze, ndërsa në momentin e arrestimit i është gjetur një armë zjarri, si dhe disa pasaporta të shteteve të tjera, të cilat me gjasë janë të falsifikuara”, thuhet në komunikatën për media.

Ndaj personit të arrestuar do të vazhdojnë procedurat e nevojshme për raste të tilla. I prangosuri është një nga vëllezërit Avdyli, që më herët ishin në burg për terrorizëm, e të cilët janë nën akuzë për vrasjen e Hamse Hashi Adan, 20 vjeç në Mortensrud, lagje në Oslo të Norvegjisë.

Valon dhe Visar Avdyli, 32 dhe 35 vjeç po kërkoheshin nga Policia e Kosovës dhe ajo e Norvegjisë, me qëllim arrestimin.