Ish-polici i forcave speciale greke që akuzohet se në janar të këtij viti vrau Devi Kasmin është marrë sërish në pyetje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Efthimio Efthimius ka vijuar të mbajë qëndrim mohues në lidhje me përfshirjen e tij në vrasjen e Kasmit duke debatuar dhe me oficerin e policisë gjyqësore që shkoi në burgun e Bradasheshit në Elbasan për ti marrë dëshminë.

Gjatë seancës gjyqësore të ditës së mërkurë Efthimius është shprehur se erdhi në Tiranë me shokun e tij që quhej Apostol vetëm për të blerë një qen.

Ndërsa për Aurel Hoxhallarin, i cili akuzohet si porositës i vrasjes së Devi Kasmit, ish-polici grek tha se e njihte ashtu siç kishte njohje me të arrestuarit e tjerë për këtë vrasje por duke mohuar implikimin në atentat.

Efthimio Efthimius, i cili dyshohet se ka vepruar si vrasës me pagesë, mohoi gjithashtu njohjen me Mario Meshinin, i cili akuzohet si personi që nxori në pritë Kasmin, duke e telefonuar.

Devi Kasmi 41 vjeç, u qëllua me armë zjarri në 29 janar të këtij viti në rrugën "Kongresi i Manastirit", afër banesës së tij.

Për këtë ngjarje u arrestuan edhe dy persona që akuzohen se kanë bashkëpunuar me porositësin dhe ekzekutorin e vrasjes që dyshohet se ka pasur si motiv konfliktin për trafikun e lëndëve narkotike./ Ora News