Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës Numan Baliç, i akuzuar se ka abuzuar seksualisht me një vajzë, të mitur mohon akuzat. “Të gjitha këto janë shpifje e mediave”, citohet ai nga kosovarja “Express”.

Më herët, mediat në Kosovë raportuan se 60-vjeçari është kallëzuar nga e ëma e një vajze 17 vjeçe e komunitetit boshnjak, Selma M.., duke thënë se politikani ka abuzuar me të bijën. Pas marrjes së denoncimit, organet ligjzbatuese kanë marrë në pyetje ish-zv/ministrin Balic, i cili më pas është liruar.

Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe Stacioni i Policisë së Kosovë në Pejë. Zëdhënësi për Informim në këtë rajon, Driton Rugova ka konfirmuar për “Indeksonline” rastin në fjalë.

“Po, është lajmëruar një rast për abuzim seksual me një të mitur. Rasti është në Prokurorinë e Shtetit. Personi nuk është arrestuar, por është vetdorzuar në polici dhe më pas prokurori përkatës e ka liruar të njëjtin në procedurë të rregullt”, ka deklaruar ai.

Numan Baliç që nga paslufta njihej si numri një i boshnjakëve në Kosovë. Ai ishte deputet në legjislaturën e tretë (2007 -2010). Po ashtu, Baliç ishte edhe ministër në vitin 2003. Mirëpo, as ky post nuk i kishte zgjatur shumë.

Kryeministri i atëhershëm, Bajram Rexhepi e shkarkoi.

Derisa as vetë kryeministri nuk është zgjedhur me procedurë ligjore, nuk ka të drejtë të më shkarkojë nga ky post”, kishte deklaruar Baliçin, duke shtuar se prapa vendimit të kryeministrit Rexhepi për shkarkimin e tij nga posti i ministrit të Shëndetësisë qëndrojnë edhe strukturat e PDK-së.

Vlen të theksohet se së fundmi, Numan Baliç nuk arriti të ushtrojë detyrën e zv/ministrit për më shumë se 30 ditë.

Kryeministri i Republikës, Ramush Haradinaj e shkarkoi më 23 dhjetor.