Një nga legjendat e Brazilit dhe Real Madrid, Roberto Karlos, është përfshirë së fundmi në një dokumentar të rrjetit televiziv gjerman “ARD”, i cili pretendon se braziliani ishte përdorues i dopingut në fillimin e viteve 2000, përfshirë këtu edhe në periudhën kur fitoi Botërorin 2002.

Në këtë dokumentar, gazetarët të cilët pretendonin se ishin sportistë, blenë substanca të palejuara nga doktori Hulio Cesar Alves, i cili deklaronte se ishte u jepte doping dhjetëra sportistëve brazilianë prej shumë vitesh.Ndërsa autoritetet braziliane kishin dijeni për aktivitetin e tij dhe kishin përgatitur një dosje për shkeljet, mes të tjerave binte në sy edhe një pretendim se Roberto Karlos kishte takuar doktorin në fjalë pak para fillimit të Botërorit 2002. Këtë pretendim e pohonte vetë doktori para kamerës së fshehtë.“E trajtova Roberto Karlosin, futbollistin e përfaqësueses. Ai erdhi te unë që në moshën 15 vjeçare, e ndihmova që të bënte muskulaturën e kofshëve. Isha unë që bëra të mundur që Roberto Karlos të kishte atë muskulaturë që ka edhe sot”, pretendonte doktori në fjalë para kamerave.Por vetë futbollisti brazilian ka refuzuar gjithçka nëpërmjet një deklarate të lëshuar në mediat e vendlindjes edhe pse fillimisht nuk kishte pranuar të komentonte për “ARD”.“I refuzoj me ngulm akuzat e papërgjegjshme të bëra nga ‘ARD’ dhe konfirmoj se nuk kam bërë asnjë gjë që të më lejonte të përfitoja nga ndonjë avantazh përballë kolegëve të mi. Raporti citon emrin e një doktori të cilin nuk e kam takuar asnjëherë në jetën time dhe avokatët e mi po punojnë që tani për të kundërshtuar akuzat në gjyq dhe për t’i hedhur poshtë para një gjykatësi”, ishte komenti i legjendës braziliane.