Gjykata e Posaçme ka dënuar me burgim të përjetshëm, Redjan Rrajën, ndërsa me 35 vite burg, Arjol Halilajn, si të akuzuar në përfshirjen e atentatit ndaj ish prokurorit, Arjan Ndoj, ku mbeti i vrarë shoferi i tij Andi Maloku dhe u plagos Landi Muharremi. 

GJKKO pranoi kështu pretencën e SPAK edhe per Rrajen edhe per Halilajn, i cili sipas Prokurorise se Posacme, ka patur vetëm rolin e ndihmësit për të larguar autorët nga vendi i ngjarjes.

Në njoftim gjykata sqaron se Rraja akuzohet per 6 vepra penale, për të cilat ai ka marrë dënimin nga 4 vite burg deri në 35 vjet burg. Ndërsa si i përfshirë në atentatit ndaj  ish-prokurorit Arjan Ndoj, Rraja është dënuar me burgim të përjetshëm.

Për Redjan Rrajën gjykata thotë se ka aplikuar nenin 55 paragrafi i parë i Kodit Penal, për bashkimin e dënimeve dhe dënimin përfundimisht të të pandehurit Redjan Rraja me burgim të përjetshëm.

Dënimin, i pandehuri Redjan Rraja, do ta kryejë në një Institucion të Sigurisë së Lartë.