Pretendon mbivendosje prone dhe kallëzon në polici punonjësit e Hipotekës Durrës.

I ndodhur përballë atyre që ai i cilëson falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre nga punonjësit e Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, 46-vjeçari nga Durrësi G.M. i është drejtuar policisë.

Në denoncimin e tij ai ka renditur shkeljet që sipas tij janë kryer nga punonjës të Hipotekës dhe për pasojë i kanë shkaktuar probleme me pronën e tij.

Pas denoncimit të qytetarit policia e Durrësit ka nisur procedimin në gjendje të lirë për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikim dokumentesh”. 

Më herët gjatë ditës, DurrësLajm raportoi për denoncimin e një qytetari nga qyteti bregdetar që denonconte zaptimin e tokës së tij në lagjen nr.1 nga një banor i kryeqytetit.

Vlen të theksohet këtu se qyteti i Durrësit është ndër qytetet shqiptare me problematikat më të theksuara në çështjet e pronësisë, të cilat në disa raste janë kthyer edhe në ngjarje të përgjakshme, ndërsa shumica e tyre u janë drejtuar dyerve të gjykatës për të nisur kalvarin e gjyqeve, që kanë zgjatur shumë vite.