Nga Sarah Macdonald
12 qershor 2014 – Lajmi se qindra fëmijë romë ishin zhdukur nga një jetimore shtetërore në Athinë, Greqi, doli për herë të parë në një raport të vitit 2003 në lidhje me trafikimin e fëmijëve nga Shqipëria, i përgatitur nga organizata joqeveritare zvicerane “Terres des Hommes”.
“Në Agia Varvara, nga nëntori i vitit 1998 deri në tetor 2001, 487 fëmijë, nga 644 që janë dërguar aty (75 përqind), janë zhdukur”.
Kjo fjali nisi të përndiqte qeverinë greke.
Pas saj qëndron një histori tragjike, që i ka rrënjët në fillim të viteve ’90, por vetëm tani në vitin 2014 mund të hedhim një vështrim pas dhe të ritregojmë këtë histori të komplikuar.
Nën diktatorin sovjetik Enver Hoxha, Shqipëria ishte një shtet totalitar represiv për më shumë se 40 vite.
Njerëzit ishin të izoluar nga bota e jashtme.
Por komunizmi ra në vitin 1992 dhe vendi u zhyt në një kaos ekonomik dhe politik. Kjo hapi mundësinë për t’u arratisur në Evropën Perëndimore.
Qindra e mijëra kapën mundësinë.
Shumë njerëz nga komuniteti rom, gjithmonë më i varfri dhe më i marxhinalizuari në vend, donin të largoheshin.
Qytetet pranë kufirit me Greqinë- Korça, Pogradeci dhe Elbasani- u bënë fokusi i eksodit.
Të rinjtë romë, përfshi shumë adoleshentë e fëmijë- ishin mashtruar nga historitë e pasurimit duke lypur në rrugët e Greqisë dhe morën malet në kërkim të fatit, shpesh pa asgjë me vete.
Por është edhe ana e errët.
Në të njëjtën kohë u shfaqën trafikantët që punonin për rrjetet e organizuara në dy anët e kufirit.
Ata kontaktonin vazhdimisht me familjet rome, duke u ofruar atyre që t’u merrnin fëmijët për të punuar, me premtimin se do u sillnin para në shtëpi.
Në rastet më ekstreme, trafikantët kalonin kufirin dhe rrëmbenin fëmijë në rrugë, duke i kaluar matanë në Greqi, që të punonin si lypës në Selanik e Athinë, dy qytetet më të mëdha në Greqi.
Udhëtimi nëpër male ishte i rrezikshëm, patrullat kufitare qëllonin mbi ta dhe disa fëmijë rrëzoheshin e thyenin kockat duke u arratisur nga patrullat.
Për shumicën e tyre, jeta në Greqi ishte e zezë, e mbushur me uri, dhunë dhe shfrytëzim nga shefat e bandave, që drejtonin rrjetet e lypësve në kryqëzime dhe stacione hekurudhore.
Publiku në Greqi solidarizohej me ta, duke u dhënë të shkoqura nga dritaret e makinave, por shumë pak e kuptonin se këto para xhepi përfundonin në arkat e bandave kriminale.
Më pas fati ndërhyri sërish. Rreth kësaj kohe, qeveria greke ishte përzgjedhur për të organizuar Lojërat Olimpike të vitit 2004.
E vendosur për të prezantuar Athinën në botë me shkëlqim, ata nisën një program për të larguar lypësit nga rrugët, duke i vendosur fëmijët në qendra shtetërore, për t’i mbrojtur.
Në Selanik kjo funksionoi.
Një i ri, që në atë kohë ishte 8- 9 vjeç, na tregoi se policia e mori (ai ishte rrëmbyer nga trafikantët në Korçë) dhe u kujdesën siç duhet për të.
Por ai kujton se si burra e gra rrethonin shtëpinë e fëmijëve, pikërisht ata që drejtonin bandat kriminale.
Ata donin që të merrnin sërish “pasuritë” e tyre. Drejtori i shtëpisë së fëmijës forcoi kushtet e sigurisë dhe policët u angazhuan për të larguar trafikantët.
Në Athinë, ku ishin shumica e fëmijëve, policia kapte pesë a gjashtë fëmijë çdo javë dhe i dërgonte në Agia Vavara, një ndërtesë e madhe në qendër të qytetit, që kishte qenë qendër për adoleshentët me probleme.
Sipas “Terres des Hommes”, 84.3 për qind e fëmijëve ishin romë shqiptarë.
Njerëzit, me të cilët kemi folur, thonë se Agia Vavara drejtohej nga njerëz të mirë. Por ata nuk kishin thuajse asnjë eksperiencë për të trajtuar fëmijët e neglizhuar rëndë, që nuk flisnin greqisht.
Ata nuk kishin akses tek përkthyesit, punonjësit socialë apo psikologët e fëmijëve. Ndërtesa kishte vetëm një roje. Pavarësisht përpjekjeve të tyre, gjërat nisën të dalin jashtë kontrollit.
Trafikantët e zemëruar nisën që të kërkojnë rikthimin e fëmijëve, shpesh duke pretenduar se ishin të afërm.
Stafi nuk dinte të gjykonte në lidhje me këto pretendime, kjo edhe për shkak se shumë fëmijë kishin dhënë emra të rremë dhe pak prej tyre kishin dokumente.
Shpesh fëmijët- qartësisht të frikësuar nën sytë e ftohtë të trafikantëve- pranonin që personi që po i kërkonte ishte ‘nëna’ apo ‘vëllai’.
Ne kemi siguruar të dhëna dhe korrespondenca të stafit, në të cilat ata luten te qeveria për ndihmë.
Në letra, ata paralajmërojnë se ndjehen të kërcënuar dhe të izoluar.
Por askush nuk i dëgjoi apelet e tyre.
Mes vitit 1998 dhe 2001, më shumë se 644 fëmijë u morën nga rrugët dhe u vendosën në Agia Vavara, dhe gjatë kësaj kohe, më shumë se 500 prej tyre u zhdukën.
Disa citime nga këto dokumente tregojnë historinë e tyre:
“Në orën 20:25, G… dhe K… ikën nga dritarja e dhomës së ngrënies”.
“Mos harroni që të kujtoni drejtorin se dritaret e shkallëve janë plotësisht të pambrojtura”.
“Rreth orës 12:00, fëmijët shqiptarë në katin e parë u tërbuan sërish. Kjo nuk mund të vazhdojë kështu”.
“Nuk duhet të jem në turn me fëmijë si këta. Kjo është e papranueshme”.
“Dy burra rrëmbyen një fëmijë dhe e hipën në një taksi që po kalonte”.
Në vitin 2004, kur doli raporti i “Terre des Hommes”, Avokati i Popullit në Shqipëri ushtroi presion tek autoritetet greke për të gjurmuar të humburit.
Një listë e rishikuar u hartua, duke rritur numrin e atyre që kishin humbur- edhe pse ajo sërish nuk ishte e saktë.
Gjatë kohës që kemi bërë këtë program, për shembull, kemi folur me tre të rritur që kanë qenë në Agia Vavara kur ishin fëmijë dhe emrat e tyre nuk ishin në listë.
Që prej atëherë, 80 fëmijë janë lokalizuar, por 420 mungojnë akoma.
Ndërkohë, pas presionit të OKB dhe të tjerëve, qeveria greke ka nisur një hetim se çfarë nuk shkoi siç duhet dhe kush janë përgjegjësit, por ai nuk ishte bindës dhe u braktis në heshtje.
Por disa kanë vazhduar që të kërkojnë përgjigje.
Në vitin 2012, një deputete greke, Maria Yannakaki e ngriti çështjen në parlament dhe kjo nxiti një stuhi në media.
Si pasojë, qeveria greke mori kritika pasi nuk kishte bërë më shumë.
Kur kontaktuam ministrin e Drejtësisë në Greqi për këtë dokumentar, ai nuk dha intervistë, por pranoi se hetimi ishte arkivuar, por tani do të rihapet për shkak të presionit.
Se sa serioze do jenë hetimet e reja, mbetet për t’u parë, por është e qartë se në vitin 2014 në Europë, komuniteti rom mbetet i varfër dhe i persekutuar.
Dikush mund të pyesë se nëse këta fëmijë nuk do ishin romë, a do ishin bërë më shumë përpjekje për t’i gjetur?
Ne vetëm mund të shpresojmë se në njëfarë mënyre, këta fëmijë janë kthyer përsëri në qytetet dhe në familjet e tyre në Shqipëri, por në realitet kjo duket e pamundur.
/gazeta "Tema"/





