Guvernatori i shtetit të Nju Jorkut, Andrew Cuomo, shpalli gjendjen e emergjencës shëndetësore për shkak të problemeve të mëdha, që ka shkaktuar gripi i sivjetshëm sezonal.
Një hap i tillë lehtëson mundësitë e vaksinimit dhe u lejon farmacistëve t’i administrojnë fëmijëve vaksina kundër gripit.
Në Nju Jork janë raportuar gati 20,000 raste personash të prekur deri më tani, shifër kjo katër herë më e lartë, se ajo e regjistruar në të njëjtën periudhë të vitit që shkoi.
Përhapja e gripit ka marrë përmasa epidemike në Shtetet e Bashkuara. 7,3% e vdekjeve në rang kombëtar, javën e kaluar, ishin pasojë e gripit dhe pneumonisë, një bilanc që kapërcen pragun e të ashtuquajturit nivel pandemik, deklaroi Qendra për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve.
Ky lloj gripi, sipas gjasave më i rëndë se ato të zakonshmit, është përhapur në 47 shtete amerikane. Ekspertët rekomandojnë përdorimin e vaksinave, që rezultojnë efikase në masën 62%.
Sezoni i sivjetshëm i gripit nisi shumë më shpejt se normalja, ndërsa vetë virusi H3N2, mund të shkaktojë probleme serioze. Të vetmet zona, që nuk janë prekur nga epidemia janë Kalifornia, Havai dhe Misisipi.
Përveç simptomave të zakonshme si kolla, ethet, rrjedhje hundësh, dhimbje koke e muskujsh, rastet më të rënda të këtij gripi përfshijnë edhe të vjella e diarre, e mund të përfundojnë në pneumoni.