ITALI, 10 mars 2013 – Alarm për bombë në Serravalle Outlet, mega qendrën tregtare, pak km larg autostradës A7 Genova-Milano. Rreth orës 14.00 një telefonatë anonime njoftoi një nga sportelistet e qendrës tregtare.
"Kemi vënë bombë në qendrën tuaj”,- tha një zë mashkulli, që më pas e mbylli menjëherë telefonatën. Menjëherë pas telefonatës drejtuesit e qendrës tregtare njoftuan karabinierët, të cilët, pa humbur kohë, nisën të evakuonin njerëzit që ndodheshin aty. Sipas policisë, në momentin e telefonatës në qendrën tregtare gjigande ndodheshin jo pak, por 15 mijë njerëz.
Policia italiane bën të ditur se largimi i njerzve nga kompleksi u bë me rregull dhe pa përhapur panik. Në vendgjarje mbërritën menjëherë zjarrfikësit, ambulancat, policia rrugore dhe ajo bashkiake.
Por mesa duket gjithçka ka qenë një alarm fals, pasi forcat e specializuara për çaktivizimin e eksplozivëve nuk gjetën asnjë objekt plasës.
/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/