Një manovër nga ana e sigurisë portuale në Portin e Durrësit ka alarmuar dhe ka vënë në panik pasagjerët këtë paradite.
Një bagazh i pashoqëruar në sallën e udhëtarëve në Terminalin e Trageteve ka shërbyer si nisma e një testimi për alarm në këtë zonë të rëndësishme portuale. Vetëm drejtuesit e Autoritetit Portual dhe të Autoritetit Shtetëror të Sigurisë kanë qenë në dijeni të këtij testimi antiterror, që u zhvillua në orarin e mbërritjes së trageteve në një nga zonat më të populluara të portit më të madh të vendit tonë.
Në këtë ushtrim të simuluar morën pjesë Forcat e Sigurisë Portuale, Policia e Migracionit dhe Kufirirt të portit të Durrësit, Reparti i PMNZSH së portit të Durrësit si dhe Sektorit të Shëndetësisë së portit të Durrësit, nën monitorimin e Autoritetit Shtetëror të Sigurisë në anije dhe portet e hapura të Shqipërisë.
Në zbatim të masave të parashikuara në këto raste, të gjithë udhëtarët u evakuuan nga Terminali i Trageteve. Gjithashtu u morën masa edhe për sigurinë e trageteve në akuatorium. Në vendgjarje u afruan mjetet zjarrfikëse dhe autoambulanca e APD-së, ndërsa u kryen kontrollet përkatëse të çantës me pajisjet antieksploziv edhe me qen zbulues. Pasi u kërkua edhe mirkuptimi i udhëtarëve gjithçka u kthye në normalitet.
Në përfundim, z.Hysni Aruçi, Drejtor i Autoritetit Shtetëror të Sigurisë në anije dhe portet e hapura të Shqipërisë, e vlerësoi si të suksesshëm ushtrimin e kryer.





