Autoritetet në Shtetet e Bashkuara u vunë në alarm, pas një kërcënimi për bombë që u raportua në selinë qendrore të Partisë Demokratike (DNC) në Uashington D.C.

Sipas Sky News, forcat policore zhvilluan kontrolle të imtësishme në ambientet e ndërtesës, por nuk u gjetën materiale shpërthyese.

Menjëherë pas njoftimit për kërcënimin, një përfaqësues i Partisë Demokratike deklaroi se, sipas Policisë së Kapitolit, kërcënimi u vlerësua si i pabesueshëm.

“Për shkak të kujdesit të shtuar, Policia e Kapitolit po kryen një kontroll të brendshëm të ndërtesës”, deklaroi Ken Martin, kryetar i Komitetit Kombëtar Demokrat (DNC).

Ai shtoi gjithashtu:

“Dhuna politike, në çfarëdo forme, nuk ka vend në vendin tonë. Jemi mirënjohës për reagimin e menjëhershëm dhe profesional të Policisë së Kapitolit dhe forcave të sigurisë së ndërtesës së DNC-së.”

Stafi u paralajmërua të shmangte ndërtesën

Më herët, ishte dërguar një njoftim zyrtar për të gjithë stafin, duke i kërkuar të shmangnin hyrjen në ndërtesën e selisë, për shkak të hetimeve që po zhvilloheshin nga autoritetet.

“Ju lutemi njoftoni stafin tuaj. Policia e Kapitolit po reagon ndaj një incidenti në selinë e Komitetit Kombëtar Demokrat (DNC),” thuhej në paralajmërim.