Një person ka alarmuar policinë e Librazhdit orët e vona të së premtes.

Ai ka thyer me gurë xhamin e një banke private. Aktivizimi i alarmit ka bërë që policia të sinjalizohet për një tentativë grabitjeje.

Menjëherë në drejtim të vendit të ngjarjes janë nisur forca të shumta policie. Në ambientet e bankës, të cilës i ishte thyer xhami, janë gjetur sende të forta, gurë. Ndërsa autori është larguar në drejtim të paditur pa mundur të marrë gjë.

Nuk dihet nëse ai ka pasur për qëllim grabitjen e bankës, por skena është filmuar nga kamerat e sigurisë së bankës. Pritet që pamjet të identifikojnë autorin që sulmoi bankën e nivelit të dytë. 

Njoftimi i Policisë: 

Librazhd

Informacion paraprak

Më datë 09.03.2018 rreth orës 23:35, në sallën operative të Komisariatit të Policisë Librazhd ka rënë alarmi i një banke.

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e policisë ku kanë konstatuar se:

Në një filial të një banke të nivelit të dytë në Librazhd është thyer me sende të forta (gurë) xhami i derës kryesore.

Nga veprimet e para hetimore, këqyrja e kamerave dhe nga deklarimet e drejtorit të filialit rezulton se personi që ka thyer me gurë xhamin e derës nuk ka vjedhur vlera monetare.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit.