TIRANË- Sëmundjet seksuale janë rikthyer sërish në vendin tonë, madje nga viti në vit me një tendencë të madhe rritjeje. Sifilizi, gonorea, klamidia janë prezente në vend madje mendohet se rastet e pacientëve të prekur nga ato janë shumë herë më të larta se ato të deklaruara.
Sipas specialistëve të Institutit të Shëndetit Publik, për këtë vit janë shënuar rreth 100 persona të prekur nga sifilizi, ndërsa klamidia ka prekur rreth 20 % të femrave në moshë riprodhuese. Specialistët infeksionistë japin alarmin për një shtim të rasteve në moshat e reja, kjo për shkak të seksit të pambrojtur dhe ndërrimit të shpeshtë të partnerëve.
Silva Bino, shefe e departamentit të Epidemiologjisë pranë Institutit të Shëndetit Publik, ka deklaruar se ky numër është vetëm maja e ajsbergut dhe se do të vazhdojë të rritet ndjeshëm, nëse nuk merren masa parandaluese.
Sipas Binos, në Shqipëri qarkullojnë të gjitha sëmundjet seksualisht të transmetueshme që qarkullojnë në Europë, prandaj është shumë e rëndësishme që vendi ynë të ushtrojë masa dhe strategji paralelisht me ato europiane. Shqetësim mbeten spitalet private, të cilat nuk raportojnë në Institutin e Shëndetit Publik rastet e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme.
Ndër sëmundjet më alarmante është sifilizi, ku vetëm për vitin 2012 raportohen 97 raste.
“Në vitin 2012 deri në muajin nëntor, numri i rasteve me sifiliz është 97. Ndërkohë 78 për qind janë femra dhe vetëm 22 për qind janë meshkuj”, thotë specialistja Adela Vasili.
“Ka një lloj handikapi në ligjin e sëmundjeve infektive, që do të rishikohet. Sifilizi mbetet një problem madhor, ai është vetëm maja e ajsbergut dhe është kambanë për HIV/AIDS”,- ngre shqetësimin Silva Bino.
Nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme rrezikojnë të prekin çdo muaj rreth 1000 persona në vendin tonë.