Shqipëria renditet ndër 37 vendet ku duhanpirja është shkaktari dytë më i madh i sëmundjeve dhe vdekjeve, sipas të dhënave të përpunuara nga The Economist. Edhe pse në shumicën e vendeve, përqindja e njerëzve që pinë duhan po bie, aktivistët vazhdojnë dhe e shohin gotën gjysmë plot. Në 24 vende, duhanpirja është shkaktari i pjesës më të madhe të barrës së sëmundjeve, e matur me shkurtimin e jetëgjatësisë, sëmundjeve dhe vdekshmërisë foshnjore. 

Në 37 vendet e tjera, grupi i dytë në të cilin bën pjesë dhe Shqipëria, duhanpirja renditet e dyta. Pjesa më e madhe e këtyre 61 vendeve janë të pasura. Megjithëse përqindja e duhanpirësve po bie, kjo më së shumti vjen se të rinjtë nuk po bien pre e këtij vesi, se sa nga heqja dorë e duhanpirjes në moshë. Dëmet nga duhanpirja shfaqen pas moshës së mesme, kështu që vendet ku duhanpirja ishte popullore një gjeneratë më parë, janë më shumë të prekura sot.

Në vendet më të varfra, duhanpirja është një shkaktar më pak i rëndësishëm vdekjeje krahasuar me faktorë të tjerë, siç është ndotja e ujit të pijshëm apo kequshqyerja. Më pak gra afrikane apo aziatike tymosin në këto shoqëri, duhanpirja shpesh është fenomen i pranuar vetëm te meshkujt. Në disa prej vendeve të varfra, duhanpirja është ende jo e zakontë, edhe pse ka filluar që të përhapet. Duke qenë se vendet në zhvillim po bëhen më pak të varfra, faktorët e tjerë të vdekshmërisë dhe sëmundjeve do të jenë më pak të dukshme, ndërsa duhanpirja do të jetë ndër shkaktarët kryesorë.