DURRËS, 16 shkurt 2013– Peshkimi fundor në Shqipëri në 15-vjeçarin e fundit ka zënë një vend shumë të rëndësishëm për sektorin e peshkimit dhe konsiderohet si vlerë e shtuar për ekonominë tonë. “Duke qenë se këto rezerva po shfrytëzohen pa ndërprerje përgjatë gjithë vitit, del si detyrë e autoriteteve kompetente që të ruajnë këtë pasuri, duke u bazuar në monitorimin e saj nga institucionet kërkimore-shkencore”, thotë Dr. Jerina Kolitari e Universitetit Bujqësor të Tiranës.
Një nga studimet e fundit është ai i Universitetit Bujqësor të Tiranës përmes Laboratorit të Akuakulturës dhe Peshkimit në Durrës, i cili mbështetet në monitorimin përmes fushatave kampionuese me anije fundore të këtyre rezervave në muajt ku aktiviteti i peshkimit fundor është në pikun e tij.
Ky monitorim ka vazhduar për një periudhë dy-vjeçare dhe përfshiu kampionime në zonat e Grykëderdhjes së Drinit, Kepit të Rodonit, Bishtit të Pallës –Selitë, Seman – Karavastasë, Selitë – Karavastasë, Seman – Vjosë, Vjosë – Sazan, Sazan – Karaburun.
Dr. Kolitari rekomandon në “Mjedisi Sot” që numri i licencave, që do të jepen për anijet e peshkimit fundor, duhen kufizuar pas një studimi të rëndësishëm mbi sforcon reale të peshkimit në Shqipëri; duhet forcuar kontrolli i inspektorëve të peshkimit mbi madhësinë reale të rrjetave fundore (sidomos madhësisë së syzes të thesit të rrjetës) për të ruajtur rekrutët e rinj të llojeve komerciale; të shihet mundësia e ndërprerjes së aktivitetit të peshkimit fundor gjatë muajve korrik – gusht, për të rimëkëmbur rezervën e peshqve fundorë dhe të kryhen monitorime të vazhdueshme vjetore të rezervës peshkore, për të pasur të dhëna më të sakta të ecurisë së llojeve të ndryshme, të cilat janë të mbishfrytëzuara.
(th. m./ Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”)





