Itali, 23 maj 2014 – Autoritetet e dy komunave italiane, të Fanos dhe të Mondolfos, në provincën e Pesaros, në Rajonin e Markes kanë kërkuar zyrtarisht dhe me insistim, që Ministria e Finacave të alokojë personel të doganave italiane në aeroportin e Fanos. Ky mikro aeroport është përmendur në raportet për përdorim të brendshëm të karabinierisë italiane si vend mbërritje e avionëve të ngarkuar me drogë, që vijnë nga Shqipëria.

Në këtë aeroport nuk ka zyrë doganore, gjë që ua lehtëson punën trafikantëve nga të dy brigjet e Adriatikut. Aeroporti i Fanos ka një pistë me bar 1350 metra të gjatë dhe 50 metra të gjerë, mjaft të përshtatshme për uljen e avionëve të trafikantëve të drogës. Aeroporti ka edhe një vend ulje helikopterësh me ndriçim, e përshtatshme për ulje-ngritje edhe natën. Aeroporti është civil, jo i kontrolluar dhe i hapur ndaj trafikut VFR të aviacionit të përgjithshëm.

Nisma nga dy komunat për vendosjen e autoriteteve doganore në aeroport është përkrahur nga krerët lokalë të Partisë së Gjelbër dhe të gjithë së majtës së bashkuar të provincës.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/