Që prej nisjes së vitit të ri shkollor, një mësues (Dedë Malaj, mësues dhe drejtor i shkollës “Lidhja e Prizrenit” në Paskuqan) ka vdekur dhe dhjetëra mësues dhe staf tjetër arsimor janë raportuar të infektuar me Covid-19.
Jo më larg se dje, prindërit e fëmijëve në shkollën “Emin Duraku” në Tiranë u alarmuan, sepse disa mësues dhe sanitare (13) kishin rezultuar pozitivë.
Situata ka rritur shqetësimin dhe frikën në radhët e trupës pedagogjike. Ndryshe nga zyrtarët e Ministrisë së Arsimit, vetë mësuesit dhe sindikatat e arsimit shprehen se rregullorja dhe masat e marra janë në mjaft raste të pazbatueshme edhe brenda shkollave.
Ata ngrenë gjithashtu shqetësimin edhe për numrin e ulët të testimeve apo për mungesën e kushteve të higjienës në një pjesë të konsiderueshme të shkollave në vend. Isa Reka nga Federata e Sindikatave të Arsimit, tha sot në “Wake Up” se po fshihet numri real i mësuesve të infektuar me Covid.





