· Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara deklaron se “qartazi, do të shkelen parimet bazë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe të legjislacionit ndërkombëtar, ku vota është vetjake, e fshehtë, e drejtpërdrejtë dhe e barabartë”
TIRANË, 21 qershor 2013 – KQZ-ja rrezikon të cënojë detyrimet e Konventës për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara në shikim, në lëvizje, në dëgjim dhe personat me aftësi të kufizuara mendore, ky është alarmi që ka lëshuar më 21 qershor Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, si anëtar i Koalicionit për Zgjedhje të Lira dhe të Ndershme.
Në një deklaratë për shtyp të 21 qershorit 2013 Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, si anëtar i Koalicionit për Zgjedhje të Lira dhe të Ndershme, dhe pse “respekton përpjekjet e bëra deri tani nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për votuesit me aftësi të kufizuara”, shpreh “shqetësimin dhe indinjatën e vet në lidhje me keq-planifikimin e prodhimit të fletëve të posaçme për të verbrit”.
Fondacioni u rikujton autoriteteve shtetërore përgjegjëse “që shteti shqiptar ka ratifikuar Konventën për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara më 15.11.2012 me ligjin numër 108/2012”.
Në kuadër të nenit 29 të kësaj Konvente, shtetet palë të saj kanë detyrime në lidhje me garantimin e të drejtës për të votuar dhe për t’u zgjedhur të personave me aftësi të kufizuara të të gjitha kategorive, ndër të tjera: “procedurat, ambientet dhe materialet duhet të jenë të përshtatshme dhe të aksesueshme; duhet të sigurohen dhomat e fshehta për personat me aftësi të kufizuara; të lejohet ‘asistenti’gjatë votimit, vetëm në rastet kur personi me aftësi të kufizuara shprehimisht e kërkon një gjë të tillë dhe të zgjedhur vetëm prej tij”.
Këto detyrime rrezikojnë të cenohen më 23 qershor 2013 për personat me aftësi të kufizuara në shikim, në lëvizje, në dëgjim dhe personat me aftësi të kufizuara mendore, thotë Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara.
Madje, ky Fondacion beson se “qartazi, do të shkelen parimet bazë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe të legjislacionit ndërkombëtar, ku vota është vetjake, e fshehtë, e drejtpërdrejtë dhe e barabartë”.
Sipas deklaratës, “Kodi ynë Zgjedhor parashikon në nenin 108, pika 8 që KQZ-ja, në përputhje me procedurat dhe afatet e shpërndarjes së materialeve zgjedhore, pajis komisionet e këtyre qendrave të votimit me mjete të posaçme votimi, të cilat lejojnë zgjedhësit që të lexojnë ose të kuptojnë fletën e votimit dhe të votojnë në mënyrë të pavarur”.
Për Fondacionin ka “shkelje të hapur të detyrimit për të pajisur me fletë të posaçme të verbrit që do të votojnë, duke i mohuar të drejtën e zgjedhjes së alternativës të votimit dhe votimit të pavarur dhe të drejtpërdrejtë.
Kodi ynë Zgjedhor bazuar në nenin 108 të tij, lejon votimin përmes asistentit të zgjedhur nga vetë personi me aftësi të kufizuara, por kjo kur e kërkon vetë personi me aftësi të kufizuara dhe si një zgjidhje dytësore për personin, dhe vetëm me qëllim asistimin”.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Durrah”/





