Afrikë, 1 prill 2014 – Epidemia e etheve hemorragjike të Ebolës në Afrikën Perëndimore është përhapur me shpejtësi të frikshme në Guinea dhe përtej kufijve të saj duke u shndërruar në një epidemi të paprecedentë.
Në total, 122 pacientë dyshohet se janë infektuar nga Ebola brenda një periudhe të shkurtër dhe 78 prej tyre kanë humbur jetën, bën të ditur organizata "Mjekët pa kufij", ndërkohë që pjesa më e madhe e viktimave janë në Guine, por sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, dy persona humbën jetën në Sierra Leone dhe një në Liberi.
"Po përballemi me një epidemi që nuk është parë kurrë ndonjëherë",- bënë të ditur autoritetet shëndetësore ndërkombëtare. Ndërkohë që në të kaluarën kjo sëmundje ka qenë më e izoluar gjeografikisht. Por tashmë që virusi ka nisur të përhapet në vende të ndryshme të Afrikës, situata bëhet më alarmante, ndërsa ende nuk ekziston një kurë specifike apo një vaksinë për të.
Ebola përhapet në gjak duke sulmuar sistemin imunitar dhe duke shkaktuar temperaturë të lartë. Ajo që po shikohet në Afrikën Perëndimore është një degëzim më i rrezikshëm i Ebolës, i njohur si virusi i Zaires, i regjistruar 38 vite më parë në Republikën Demokratike të Kongos. Ky lloj virusi mund të transmetohet të njerëzit nga kafshët e egra, por edhe nga kontakti i drejtpërdrejtë i personave të infektuar nëpërmjet gjakut, lëngjeve të trupit etj.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





