– Flasin arkeologët vendas dhe të huaj
DURRËS, 18 qershor 2013 – Amfiteatri i Durrësit ka qenë këto ditë në faqet e para të medieve evropiane, pas shpalljes së listës me 7 monumentet më të rrezikuara në Evropë.
Monumenti më i madh i antikitetit i zbuluar në vendin tonë, është vendosur në krye të kësaj liste, që u publikua nga organizata “Europa nostra”, ndërsa mediet e huaja kanë shkruar se “ky amfiteatër me vlera të rralla arkeologjike dhe kulturore, rrezikohet seriozisht nga ndërtimet urbane, që kanë prekur një pjesë të tij. Amfiteatri i Durrësit, i zbuluar në vitin 1966 është më i madhi dhe më i rëndësishmi jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan-vlerësoi pak javë më parë gazeta prestigjioze amerikane “Huffington Post”.
Arkeologët dhe historianët durrsakë, një pjesë e të cilëve kanë punuar përkrah zbuluesit të monumentit, prof. Vangjel Toçit, në periudhën 1966-1970 gjykojnë se në këtë njoftim duhet vlerësuar bashkë me alarmin ndërkombëtar, edhe “ana pozitive e medaljes”.
Duke iu përgjigjur interesimit të Gëzim Kabashit, gazetar i ATSH-së në Durrës, dr. Sali Hidri, arkeolog dhe historian, nënvizon se kishte kaluar koha për disa ndërhyrje të rëndësishme në amfiteatër, i cili fatkeqësisht duket mjaft i lodhur mes ndërtimeve kaotike dhe mungesës së kujdesit. Organizata “Europa nostra” parashikon edhe financime për zgjidhjet emergjente në hapësirën e monumentit, dhe sipas dr. Hidrit, ndoshta duhet prishur sa më parë banesa e vjetër, mbi arenën e amfiteatrit.
“Familjet e saj duhet të ishin sistemuar prej kohësh diku tjetër, për të mundësuar zbulimin e arenës dhe vazhdimin e punës konkrete të arkeologëve-shton dr. Hidri.
Të njëjtin mendim ndan edhe prof. As. Dr. Hava Hidri, e cila ka botuar një sërë librash me bashkëshortin e saj Sali Hidri.
“Kur filluan punimet për zbulimin e amfiteatrit në vitin 1996 unë isha studente, dhe bashkë me skicografët Gavril Priftuli dhe Nikolet Vasia trajtonim të gjithë materialin e zbuluar të qeramikës.
“Kujtoj, zbulimin e mozaikut vertikal në kapelën e vogël, që është ndërtuar brenda amfiteatrit në periudhën bizantine-, thotë znj. Hidri. – Ishin ngjyra të ndezura e të mrekullueshme, të cilat gati 50 vjet më vonë janë zbehur përfundimisht”, – shprehet arkeologia.
Jo vetëm kaq, por lagështira e përhershme ka shkaktuar dëmtime të rënda në mozaikun e vetëm vertikal të zbuluar në vendin tonë. Ndërhyrja në kishëzën e vogël dhe në mozaikun e saj mund të jenë gjithashtu një hap i parë, në vlerësimin e përbashkët të specialistëve shqiptarë dhe të huaj.
Lida Miraj, arkeologe dhe arkitekte, pjesëmarrëse në Kongresin që “Europa nostra” zhvilloi një javë më parë në Athinë tha sot për një gazetë të përditshme se “renditja e amfiteatrit në 7 monumentet më të rrezikuara tregon se ky monument ka nevojë për ndërhyrje emergjente dhe kjo duhet bërë nga ekspertë profesionistë kombëtarë dhe ndërkombëtarë.
Sipas Mirajt, ky lajm nga ana tjetër e bën publikun shqiptar në përgjithësi e atë të Durrësit në veçanti, më të vetëdijshëm për urgjencën e nevojës së restaurimeve dhe për përgjegjësitë, që ndjehen për një pasuri kaq të madhe kulturore që ne trashëgojmë.
Lida Miraj, shton se bashkëpunimi me ekspertët ndërkombëtarë “ofron një platformë ideale për t’iu përgjigjur me sukses problemeve të shekullit të XXI, dhe në këtë shekull është kultura ajo që është vënë në qendër të projekteve europiane. Rivitalizimi i amfiteatrit është i rëndësishëm jo vetëm për Durrësin e Shqipërinë, por edhe për të gjithë Europën”, -shprehet Miraj në intervistën e saj.
Reagime të veçanta ka pasur edhe nga arkeologët e huaj, të impenjuar në zbulimet dhe rivlerësimin e monumentit. Amfiteatri i Durrësit është ndërtuar në periudhën romake, gjatë sundimit të perandorit, Trajan, në fillim të shekullit të parë të erës sonë.
“Ne do të vendosim kontakte shumë shpejt me “Europa nostra”-n, – tha profesore Sara Santoro, bashkëdrejtuese e misionit arkeologjik “Durrësi”. Në dispozicion të Organizatës ndërkombëtare do të vihet i gjithë dokumentacioni i misionit, i cili që nga viti 2005 ka nxjerrë përfundime të rëndësishme për arkeologjinë urbane dhe transformimet e qytetit të Durrësit nga antikiteti deri në ditët tona”. F
illimisht me një ekip të përbashkët italo-shqiptar nga Universiteti i Parmës dhe më pas nga ai i Chietit, prof. Santoro, shton se të gjitha projektet e paraqitura më parë në institucionet tona shkencore dhe administrative shqiptare dhe italiane janë publikuar në disa revista shkencore ndërkombëtare.
10 vjet radhazi misioni italo-shqiptar ka punuar në ekspedita 3-6 javore, duke sjellë në dritë elementë të rinj të zonën juglindore të monumentit.
Ndërkaq mbi bazën e studimeve shumëplanëshe u hartua edhe projekti për rivitalizimin e monumentit, që disa vjet më parë u prezantua nga qeveria italiane në Panairin e Tokios.
“Presioni i shoqatave ndërkombëtare është i mirëpritur, madje sa më shpejt”, – shprehet Santoro, sipas së cilës “ky mund të jetë një kontribut themelor për të gjetur fonde për procesin e restaurimit dhe rifunksionalizimin e monumentit”.
Amfiteatri i Durrësit është zbuluar në vitin 1966 nga arkeologu i njohur Vangjel Toçi. Deri tani është zbuluar rreth gjysma e amfiteatrit, me pjesën perëndimore dhe veriore të shkallareve, si dhe një pjesë e galerive. Që nga viti 2004 një pjesë e arenës është shfrytëzuar për organizimin e koncerteve dhe disa festivaleve.
/th.m. Agjencia e lajmeve Durrah”/





