Paraditen e sotme në afërsi të teatrit "Skampa" në Elbasan u dha alarmi për bombë, por policia ka dhënë versionin zyrtar të ngjarjes, duke shpjeguar se brenda valixhes ka patur eksploziv. Sipas policisë në Lagjen “Luigj Gurakuqi”, në Bulevardin kryesor në kryqëzimin “Kristoforidhi”, është marrë informacion se në tokë poshtë një automjeti që ishte i parkuar ndodhej një pako e zezë e dyshuar me lëndë plasëse.
Në vendngjarje mbërritën forcat antieksploziv të Reneas, ku pas veprimeve të para rezultoi se brenda pakos kishte lëndë eksplozive.
Specialistët antieksploziv të Reneas më pas bënë çaktivizimin e lëndës plasëse.
Nga këqyrja paraprake rezultoi se brenda pakos kishte rreth 300 gramë lëndë eksplozive si dhe një aparat celular.
Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes si dhe për të përcaktuar nëse lënda eksplozive ishte vendosur me qëllim shpërthimin e automjetit në pronësi të shtetasit F.V që ndodhej i parkuar, apo ka pasur destinacion tjetër.





