Bananet janë ndër frutat më të mira dhe me vlera ushqimore. Sportistët i përdorin për të pasur sa më shumë energji, ndërsa nënat ushqejnë fëmijët e vegjël me banane të shtypur.
Por tashmë lajme të këqija na vijnë nga ky frut ekzotik. Mesa duket, do të ketë mungesë të bananeve në treg. Fakti tronditës është se një sëmundje shkatërruese po qarkullon nëpër vendet ku rritet ky frut. Sipas “Daily Mail”, situata është tepër serioze, saqë për Britaninë e Madhe mund të ndërpritet importi i 5 miliardë bananeve që çdo vit dërgohen në këtë shtet.
“Sëmundja e Panamasë” quhet ky infeksion që prek frutin e bananes dhe shkatërron plantacionet. Deri më tani, kjo sëmundje ka shkatërruar plantacione në Azinë Juglindore, Kinë, Australi, Afrikë dhe Lindjen e Mesme. Ekziston frika që kjo sëmundje të përhapet edhe në Perëndim, në Amerikën Latine, aty ku ndodhet vendi më i madh i prodhimit të bananeve, Ekuadori.
Nëse “sëmundja e Panamasë” do të përhapet në Amerikën Latine, shkatërrimi do të ishte shumë i madh për prodhuesit dhe vetë konsumatorët.