Aviacioni shqiptar dhe NATO u alarmuan ditën e sotme, pasi një avion ka hyrë në hapësirën ajrore shqiptare dhe ka bërë disa lëvizje të dyshimta.
Ende mbetet mister arsyeja e vizitës së këtij avioni të ngritur nga aeroporti i Chanias në Kretë të Greqisë.

Menjëherë sapo ka hyrë në hapësirën ajore shqiptare, forcat e NATO-s kanë kërkuar informacion mbi destinacionin e avionit, por nuk ka patur asnjë përgjigje dhe kjo ka bërë që menjëherë të ngrihet në ajër një helikopter luftarak amerikan, që ndodhet në bazën e NATO-s në Greqi.
Sipas të dhënave të Flightradar, avioni misterioz ka bërë disa rrotullime pranë brigjeve shqiptare në zonën mes grykëderdhjes së Vjosës dhe Durrësit.
Në momentin kur në trajektoren e tij ka mbërritur helikopteri ushtarak amerikan, avioni ka qenë duke fluturuar në 11 mijë metra lartësi.
Fill pas kësaj ai ka ulur lartësinë në 8 mijë metra, duke sugjeruar se ka pasur një komunikim me helikopterin ushtarak amerikan.
Ndërkohë që deri më tani nuk ka asnjë informacion, as nga autoritetet shqiptare dhe as nga NATO, mbi këtë lëvizje të dyshimtë mbi hapësirën ajrore të Shqipërisë.





