16 nëntor 2014 –Dita e parë italiane për Kombëtaren Shqiptare nuk ka qenë e thjeshtë pasojë e ndryshimit të programit për shkak të motit të keq që përfshiu Ligurian, me kuqezinjtë që janë grumbulluar për momentin në Milano në pritje për të udhëtuar drejt Gjenovës. Gjatë ditës Kombëtarja ka mundur të gjejë dhe një ambjent të përshtatshëm ku do të kryente seancën stërvitore në prag të përballjes me Italinë, me trajnerin De Biasi që pati mundësinë të zhvillonte një stërvitje të plotë. Menaxheri i Kombëtares, Alban Bushi, tregoi orët e zgjatura të pritjes drejt Italisë:”Nuk ishte një ditë e lehtë, pritëm për shumë orë në aeroportin e Rennes dhe nuk e dinim nëse do të udhëtonim drejt Italisë. Gjithsesi në fund morëm leje për të fluturuar drejt Milanos pas një situate të pazakontë.
Megjithatë kur mendon që do të luash me Italinë dhe që nuk është një ndeshje zyrtare, kjo të lehtëson disi. Gjatë ditës u përpoqëm të gjenim një ambjent të përshtatshëm për të kryer seancën stërvitore dhe skuadra u stërvit normalisht”. Për të ngritur moralin e ekipit por dhe për të ndjekur më nga afër kundërshtarin e kësaj të marte, trajneri De Biasi bashkë me stafin e tij, por dhe futbollistët kuqezi do të ndjekin live këtë mbrëmje në “San Siro” ndeshjen mes Italisë dhe Kroacisë, dy skuadrave të kreut të Grupit H: “Trajneri bashkë me futbollistët do të jenë të gjithë të pranishëm në stadium, për të parë nga afër Italinë. Është hera e parë që bëjmë dicka të tillë dhe mendoj se është interesante, aq më tepër që do të kemi mundësinë të ndjekim live kundërshtarët tanë duke i parë më nga afër sesi vendosen taktikisht e sesi luajnë në përgjithësi”.Sa i përket emrave që De Biasi mund të zgjedhë për të hedhur në fushë ndaj të kaltërve, Bushi theksoi se italiani nuk do të ketë një detyrë të lehtë pasi të gjithë futbollistët po luajnë shumë mirë: “Nuk është e lehtë pasi te kjo Kombëtare të gjithë po bëjnë mirë sa herë që luajnë. Futbollistët po japin të gjithë maksimumin dhe kjo skuadër po tregon stabilitet gjithmonë e më shumë. Ndaj nuk është e lehtë të zgjedhësh se kush do të luajë, e kush jo”. Ndeshja mes Italisë dhe Shqipërisë do të luhet këtë të martë në “Luigi Ferraris” të Gjenovës, në orën 20:45





