23 dhjetor 2014 – Alban Hoxha u shpall futbollisti më i mirë shqiptar për vitin 2014. Portieri i Partizanit i cili realizoi një arritje fantastike në këtë kampionat, pasi nuk pësoi gol për plot 1084 minuta duke thyer rekordin që rezistonte prej 30 vitesh të Bujar Gogunjës, legjendës së portës së Elbasanit, u nderua me cmimin e futbollistit më të mirë kalendarik gjatë ceremonisë festive të fundvitit të organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit.
Një nderim ky vërtet i merituar për Hoxhën që gjeti forcën për të kompletuar këtë arritje të jashtëzakonshme, pavarësisht një drame të rëndë familjare.
Në mbrëmjen gala të FSHF, ku ishin prezentë gjithë anëtarët e familjes së madhe të futbollit shqiptar, drejtues të Federatës e klubeve u dhanë edhe disa çmime mirënjohjejeje për futbollistë të dekadave të kaluara, ndërsa u nderua me çmim edhe ekipi përfaqësues i shpresave të vitit 1984 i cili arriti të renditej ndër 8 skuadrat më të mira të Europës në këtë kategori.
Një çmim i vecantë në mbrëmjen e Federatës Shqiptare të Futbollit u dedikua për Supersport që u nderua me titullin e Mirënjohjes për mbështetjen e jashtëzakonshme që i ka dhënë futbollit shqiptar gjatë gjithë aktivitetit të tij në vitet e fundit. Në motivacionin e këtij cmimi FSHF thekson se transmetimi profesional i ndeshjeve të kombëtares kuqezi, brenda dhe jashtë Shqipërisë, i ka bërë më të ndieshëm sportdashësit shqiptarë për ndeshjet dhe rezultatet e saj. Gjithashtu pasqyrimi nga Supersport i aktiviteteve kombëtare , sidomos i Kategorisë Superiore ka ndikuar drejtëpërdrejtë në rritjen e interesit të publikut të gjerë për futbollin shqiptar.





