Alban Ramosaj me këngën “Thikat e mia” triumfoi në edicionin e 22-të të Festivalit Kënga Magjike. Këngëtari u shfaq i përlotur pasi u shpall fitues, ndërsa u shpreh se nuk mund ta besonte që ky moment ishte bërë tanimë realitet.
E vetmja këngëtare që u duk sikur do të vendoste pak në rrezik fitoren e Ramosajt ishte Nutsa (kategoria Big International), megjithëse në përfundim të votimit, “Thikat e mia” ruajti diferencën.
Ndërkohë, çmimi “Best New Artist” këtë vit shkoi për grupin “Urban Band”.
Çmimin “Best International Artist” e mori artistja nga Gjeorgjia, “Nutsa”.
Sistemi i votimit në Kënga Magjike ishte i ndarë në tre pjesë. Artistët votuan për njëri-tjetrin, po ashtu edhe publiku votoi për të preferuarin e tij dhe vota e jurisë e përbërë nga Enkel Demi, Jonida Maliqi, Markelian Kapidani, Arben Skënderi dhe Kozeta Kurti.





