Pas mungesës për një kohë të gjatë, Alban Skëndeaj para pak ditësh publikoi këngën e tij më të fundit me titull “Unë dhe ti”. I ftuar në programin e mëngjesit “Wake Up” këtë të premte, kantautori i njohur ka treguar më shumë detaje për periudhën gjatë së cilës ka munguar në muzikë, për këngën e fundit “Unë dhe ti”, por edhe për marrëdhënien e tij me Miriamin.
Si një dedikim për dashurinë e sakrificave, “Unë dhe ti” erdhi ashtu siç e kishte dëshiruar vetë Albani – për çiftet që kanë kaluar shumë vështirësi bashkë: “Të gjitha çiftet, mendoj që kanë diçka që i bashkon. Të gjithë kanë kaluar mes vështirësive. Ne shqiptarët, kemi kaluar shumë probleme ekonomike, sociale, kemi ndjerë shtypjen e diktaturës, e ndonëse ne jemi një brez i ri, kemi shenja nga këto vështirësi. Unë doja të bëja një këngë universale ku secili gjen veten. Edhe klipin doja që të bëhej nga vetë njerëzit”, – tregon Albani. Dhe pas kësaj nuk kanë qenë të paktë ata që i janë përgjigjur dëshirës për të qenë pjesë e këtij klipi, ata që treguan se dashuria më e madhe është ajo e sfidave. Dhe një e tillë është edhe ajo e tij me Miriamin.
Nëse në sytë e të gjithëve, Miriam-Alban janë çifti perfekt, kantautori tregon sinqerisht se edhe marrëdhënia e tij, si e të gjithëve, ka pasur krizat e veta. “Kemi pasur kriza, si çdo çift, por mendoj që çdo ditë duhet të punosh që të ushqesh raportin, dashurinë, vazhdimësinë, jetën… Edhe kjo këngë këtë mesazh kërkon të përçojë: është shumë e lehtë të jesh egoist, të jesh vetjak, siç bëhet shpesh sot në jetë, por nëse do që një raport të funksionojë duhet të bësh sakrifica e të jesh i fortë në momente të vështira, të durosh, të pranosh, të respektosh…”,- ka nënvizuar ai, ndërsa tregon se të dyve iu është dashur të jenë tolerantë, sipas rastit, sepse këndvështrimi është mjaft larg, shkon përtej: “Të dy jemi tolerantë. Për shumë aspekte duket sikur jam unë më shumë, për shumë aspekte duket sikur është ajo. Është e vështirë të thuash kush është më shumë. Unë jam më impulsiv në disa momente, në disa momente të tjera është Miriami. Ne mund të jemi çifti “perfekt”, po patjetër që kemi pafundësisht situata, kontraste, është normale. Por ç’është më e rëndësishmja është që ne kemi një pikësynim që shkon përtej, që është larg, dhe ne mundohemi të shikojmë larg.”
Kështu lindi edhe hiti “Unë dhe ti”, që u publikua në datën 14 shkurt, si një dhuratë për të gjithë të dashuruarit, për ata që sakrifikojnë për dashurinë, ashtu si Albani dhe Miriami. Kënga është krijuar mes shkelmash, e duket se e ka emocionuar Amelinë qysh në bark, siç tregon Albani, por nëse të gjithë mendonin se ishte një këngë për të, Albani thotë se kjo i duket gjëja më e vështirë: “Vajza më frymëzon në tërësi. Ajo më ka dhënë një goditje jete. Të bëj një këngë për të më duket një gjë shumë e madhe, emocionohem aq shumë, saqë nuk e shoh vetëm detyrim të bësh një këngë…”
Megjithatë, së ardhmes nuk i dihet… Të paktën për tani, sinjalet e para janë shfaqur, sepse Ameli “më ngjan mua… pothuajse të gjithë thonë që më ngjan mua”, – thotë Albani, edhe pse më e rëndësishmja për të, është një bebe e mbarë. Për të, ashtu si çdo prind, Albani dëshiron të rritet e lumtur dhe sidomos “të ketë dëshirën që në këtë jetë të japë një kontribut.”